Shpërthim tragjik në Crans-Montana: 10 viktima

Shpërthim në një bar në Crans-Montana të Zvicrës, të paktën 10 viktima

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në një bar në Crans-Montana, një destinacion i njohur turistik për skijim në Zvicër. Ngjarja tragjike ka rezultuar në humbjen e jetës së të paktën 10 personave dhe ka plagosur rëndë shumë të tjerë.

Sipas raportimeve të Sky News, duke cituar burime nga policia lokale në kantonin Valais, më shumë se 10 persona janë plagosur. Autoritetet kanë bërë të ditur se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 01:30 me kohën lokale në barin “Le Constellation”, një lokal që frekuentohet kryesisht nga turistët, sidomos gjatë festimeve të Vitit të Ri. Pas shpërthimit, në objekt shpërtheu edhe një zjarr i madh, i cili u neutralizua disa orë më vonë nga zjarrfikësit. Pamjet e publikuara nga mediat zvicerane tregojnë ndërtesën të përfshirë nga flakët.

Në vendngjarje u angazhuan menjëherë ekipe të shumta shpëtimi, ambulanca dhe zjarrfikëse. Autoritetet vendosën gjithashtu një ndalim të përkohshëm të fluturimeve mbi zonë.

Një zëdhënës i policisë ka bërë të ditur se në momentin e shpërthimit, brenda lokalit ndodheshin mbi 100 persona. Transmetuesi publik zviceran RTS raportoi se shpërthimi ka ndodhur në bodrumin e objektit, ndërsa kapaciteti maksimal i barit ishte rreth 400 persona.

Gazeta zvicerane Blick sugjeron se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të përdorur gjatë një koncerti, por policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me shkaqet e kësaj tragjedie. Hetimet janë ende në proces.

Crans-Montana është një vendpushim luksoz skijimi në Alpet Zvicerane, rreth dy orë larg Bernës. Sipas BBC-së, zona pritet të presë një garë të Kupës së Botës FIS në fund të muajit janar.

BREAKING: Many killed and wounded in an explosion at a bar in the Swiss ski resort town of Crans-Montana — Visegrád 24 (@visegrad24)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb”, mjafton të klikoni dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Scroll to Top