“Njerëzit hidheshin nga varka për t’u shpëtuar flakëve”/ Shpërthim në një anije në Miami, plagosen 11 persona
Të paktën 11 persona janë plagosur pas një shpërthimi në bordin e një varke turistike në Miami. Autoritetet amerikane kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij incidenti.
Sipas shefit të batalionit të zjarrfikësve dhe shpëtimit në Miami-Dade, Juan Arias, ekipet e emergjencës iu përgjigjën raportimeve për një “shpërthim të mundshëm varke” në Haulover Sandbar, një zonë shumë e frekuentuar nga turistët.
Të plagosurit u transportuan në spitalet lokale, ku morën trajtim për djegie dhe lëndime traumatike.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim.
Një dëshmitar okular dhe qiradhënës lokal i varkave, Patrick Lee, tha për CBS News se pa disa persona që u hodhën nga varka menjëherë pas shpërthimit. “Pashë shumë prej tyre me djegie në të gjithë trupin. Ishte një zjarr shumë i nxehtë,” deklaroi ai, duke shtuar se shpërthimi mund të ketë qenë i lidhur me karburantin me oktan të lartë.
