Shqipëri-Itali: 16 Marrëveshje Bashkëpunimi të Reja Firmosen në Romë

Sot mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive Shqipëri-Itali, Rama pritet me ceremoni zyrtare nga Meloni. Do të firmosen 16 marrëveshje të reja

Kryeministri Edi Rama është pritur me një ceremoni zyrtare nga homologu italian, Giorgia Meloni, në Romë, në kuadër të mbledhjes së parë të përbashkët mes qeverive Shqipëri–Itali. Kreu i qeverisë e ka cilësuar më herët këtë takim të përbashkët si të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.

Sot pritet të firmosen 16 marrëveshje të reja, ndërsa bashkë me Ramën në Romë janë edhe 10 ministra. Ai shkroi: “Një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor”.

Të pranishëm do të jenë:

  • Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku
  • Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali
  • Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari
  • Ministrja e Brendshme Albana Koçiu
  • Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu
  • Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala
  • Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj
  • Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja
  • Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj
  • Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni

Së pari, do të takohen dy kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni, për të vijuar më pas me mbledhjen e përbashkët.

Rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i marrëveshjeve dhe memorandumeve në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.

Ministritë që do nënshkruajnë marrëveshjet janë ajo e Brendshme, e Mbrojtjes, e Shëndetësisë, e Jashtme (një marrëveshje për cybersecurity), dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë (marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut).

Italia ka zhvilluar dhe të tjera mbledhje të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është hera e parë që do të ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet jashtë Unionit.

Në total 16 marrëveshje dhe memorandume do të shkëmbehen gjatë ceremonisë zyrtare të kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë:

  • Bashkëpunimi strategjik në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit, sigurisë, arsimit dhe inovacionit.
  • Siguria kibernetike, përmes një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet ministrive të jashtme.
  • Mbrojtja civile, me disa marrëveshje për grante dhe hua të buta, mbështetje në pajisje dhe trajnim, si dhe një deklaratë të përbashkët mbi koordinimin institucional.
  • Shëndetësia, me projekte për përmirësimin e kujdesit neonatal dhe maternal.
  • Mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak, përfshirë transferimin e mjeteve detare dhe marrëveshje mes kompanive “Leonardo”, “Fincantieri” dhe partnerëve shqiptarë.
  • Lufta kundër trafikut të drogës, që përfshin një Memorandum mirëkuptimi të nënshkruar mes institucioneve të punëve të brendshme respektive.
  • Zhvillimi ekonomik, përmes instrumenteve të “Cassa Depositi e Prestiti”, “SIMEST” dhe “AIDA”, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare.
  • Kultura dhe kreativiteti, me një marrëveshje bashkëpunimi midis Fondacionit MAXXI dhe institucioneve shqiptare të artit.
Scroll to Top