Shqipëri-Jordani: Rrugë të bllokuara pranë stadiumit
Ndeshja miqësore e futbollit mes Shqipërisë dhe Jordanisë, e planifikuar për sot në orën 19:00 në “Arena Kombëtare”, do të sjellë kufizime të përkohshme në disa akse rrugore përreth stadiumit. Këto masa merren për të siguruar mbarëvajtjen e eventit dhe lehtësimin e qarkullimit.
Policia e Tiranës njofton se nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, qarkullimi do të jetë i kufizuar në rrugët:
- “Dervish Hima”
- “Gjergj Filipi”
- Segmenti pranë Hotel “Marriott”, që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
- Rrugët anësore rreth stadiumit, përfshirë zonën nga Hotel “Sheraton”.
Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar këto kufizime dhe inkurajojnë shmangien e përdorimit të automjeteve në këto zona. Gjithashtu, u bëhet thirrje tifozëve dhe sportdashësve të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes.