Vokshi dhe Mediu në IDU: Shqipëria, një autokraci elektorale
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, dhe kryetari i Partisë Republikane, i cili është gjithashtu deputet, Fatmir Mediu, morën pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), e cila u mbajt në Uashington, SHBA.
Gjatë fjalimeve të tyre, dy ligjvënësit e opozitës denoncuan situatën e rëndë politike dhe të lirive në Shqipëri, duke e cilësuar procesin zgjedhor të datës 11 maj si një farsë.
Deputetja Vokshi përshkroi “situatën e rëndë dhe krizën e thellë të demokracisë në të cilën ndodhet Shqipëria”. Ajo deklaroi se “Vendi është zhytur në një autokraci elektorale, ku zgjedhjet manipulohen sistematikisht, institucionet janë kapur nga qeveria e kontrolluar nga një njeri i vetëm, ndërsa media dhe opozita shtypen përmes presionit politik dhe veprimit selektiv të drejtësisë”.
Vokshi theksoi se Shqipëria është shndërruar nga qeveria e Edi Ramës në një vend të favorshëm për kartelet e drogës shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe një vend i sigurtë për pastrimin e parave të aktiviteteve kriminale. Sipas saj, ky realitet “nuk është vetëm problem shqiptar, por përbën një rrezik për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendeve të tjera europiane”.
Nga ana tjetër, deputeti dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, denoncoi gjendjen e rëndë të drejtësisë në vend, duke theksuar se reforma e drejtësisë, e miratuar me kontributin e madh të partnerëve ndërkombëtarë, nuk po funksionon siç duhet.
Mediu deklaroi se “Shqipëria ndodhet sot në pikën më kritike të historisë së saj pluraliste. Ajo që dikur ishte një demokraci aspirante europiane, sot lëviz drejt autoritarizmit me një shpejtësi të frikshme. Nuk bëhet më fjalë për debat politik, për konkurrencë idesh apo për rotacion normal pushteti. Bëhet fjalë për mbijetesën e vetë demokracisë. Në këtë realitet mbytës autoritar, opozita jo thjesht sfidohet: ajo përndiqet. E drejta e votës jo vetëm shkelet: ajo vidhet. Sistemi i drejtësisë jo vetëm manipulohet: ai përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve”.
Ai e cilësoi fjalën e tij jo si një apel diplomatik, por si një thirrje alarmi. “Është një denoncim i qartë dhe i drejtpërdrejtë se Shqipëria po rrëshqet drejt modelit të Gjeorgjisë, duke humbur themelet e rendit perëndimor të të drejtave dhe lirive. Dhe pikërisht mbi këtë realitet, kjo rezolutë nuk është thjesht e nevojshme, por urgjente”, tha Mediu.
Pas këtyre deklarimeve, IDU ka lëshuar një rezolutë për situatën në Shqipëri, e cila u lexua nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp me gazetarët.
