Shqipëria & BE: Auditime të pasurve për Integrim

“`html

Ndërkohë që pritet zbatimi i “paqes fiskale”, Drejtoria e Tatimeve do të auditojë individët e pasur si pjesë e planit të rritjes për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Hyrja në Bashkimin Europian kërkon që Shqipëria të përmbushë disa kushte të rëndësishme, mes tyre auditimin e individëve të pasur me risk të lartë, forcimin e hetimit të mashtrimeve tatimore dhe krijimin e regjistrit të aseteve për 10% të tatimpaguesve.

Drejtoria e Tatimeve bëri të ditur se në një takim pune mes Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore, z. Ilir Binaj, dhe përfaqësuesve të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, u diskutua ecuria e katër objektivave të Planit të Rritjes (Growth Plan):

  • Auditimi i individëve të pasur me risk të lartë, duke u bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara dhe informacionin e marrë nga palë të treta.
  • Krijimi i regjistrit të aseteve për 10% të të gjithë tatimpaguesve.
  • Paraplotësimi i deklaratave të TVSH-së për të gjithë tatimpaguesit subjekt i TVSH-së, si dhe i deklaratave DIVA për individët deklarues, me qëllim thjeshtimin e proceseve dhe rritjen e përputhshmërisë.
  • Forcimi i performancës së hetimit të mashtrimeve tatimore.

Sipas njoftimit, Administrata Tatimore vijon angazhimin për përmbushjen e objektivave strategjikë, forcimin e administrimit tatimor dhe avancimin e reformave, në përputhje me standardet europiane dhe procesin e integrimit.

Në pritje të “paqes fiskale”

Këto angazhime po merren ndërkohë që qeveria miratoi në fund të vitit të kaluar një projekt për “paqen fiskale”, i cili pritet të zbatohet së shpejti pas miratimit të udhëzimeve.

Ligji “Për marrëveshjen e paqes Fiskale” mundëson nënshkrimin e një marrëveshjeje mes bizneseve të mëdha, me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.

Çdo biznes i rregullt, qoftë person fizik apo entitet, mund të hyjë vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje janë bizneset për të cilat është hapur çështje penale për mashtrim ose evazion fiskal.

Pak ditë më parë, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) ka “ngritur radarët” për “paqen fiskale”. Në një shkresë dërguar subjekteve që raportojnë pranë saj, AIF, institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar, ka paralajmëruar subjektet të kenë kujdes me zbatimin e ligjit Nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

AIF ka informuar të gjitha subjektet se ligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale” nuk ofron asnjë lloj imuniteti administrativ ose penal ndaj veprimeve të tatimpaguesve për pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo për çdo vepër tjetër penale që lidhet me origjinën e jashtëligjshme të fondeve apo pasurisë. Për rrjedhojë, ai nuk cenon zbatimin e asnjë prej detyrimeve të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.

Drafti për “paqen fiskale” është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare, pasi shihet si një lloj amnistie e fshehur. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar se disa elementë të ligjit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale.

“Paqja” fiskale është kundërshtuar gjithashtu nga institucionet e mëdha të biznesit. Në dhjetor, pak para miratimit të ligjit nga Kuvendi, Dhoma Amerikane, organizata që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, doli me një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. Sipas vlerësimit profesional të Dhomës, evidentohen një sërë problematikash me ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe të qeverisjes fiskale, që lidhen me faktorë si:

  • Rreziku i lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme.
  • Mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrimin e parave.
  • Ullja e cilësisë së administrimit tatimor.
  • Pasoja serioze ekonomike dhe fiskale në buxhetin e shtetit.
  • Nxitje e skemave të zhvendosjes së bizneseve drejt normave më të ulëta.

“`

Scroll to Top