Shqipëria: Investimi i ulët në arsim, e fundit në Europë

Shqipëria shpenzon 2.9% të PBB-së për arsimin, e fundit në Europë

Shqipëria vazhdon të financojë arsimin në nivele dukshëm më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin në vend përbënin vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja në BE ishte 4.7%. Kjo diferencë arrin në 1.8 pikë përqindje të PBB-së.

Në terma relativë, pesha e shpenzimeve për arsimin në ekonominë shqiptare ishte rreth 38% më e ulët se mesatarja europiane. Për të arritur nivelin mesatar të BE-së, Shqipërisë do t’i duhej të rriste financimin e arsimit me rreth 60% në raport me madhësinë e ekonomisë.

Nëse do të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare, Shqipëria do të kishte nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin. Vendet e fundit të renditjes së BE-së ishin Rumania (3% të PBB-së), Greqia (3.3%) dhe Malta (3.4%).

Nga ana tjetër, vendet që i kushtuan pjesën më të madhe të ekonomisë financimit të arsimit ishin Suedia (6.8% të PBB-së), Finlanda (6.3%) dhe Belgjika (6.2%). Danimarka shpenzoi 6.1% të PBB-së. Krahasuar me Suedinë, pesha e shpenzimeve shqiptare ishte më pak se gjysma.

Në nivelin e Bashkimit Europian, shpenzimet publike për arsimin mbetën të pandryshuara në 4.7% të PBB-së krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, ato ishin 0.3 pikë përqindje më të ulëta se në vitin 2020, kur arritën në 5% të PBB-së, niveli më i lartë që nga fillimi i mbledhjes së këtyre të dhënave në vitin 2012.

Edhe në krahasim me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit për peshën e shpenzimeve publike për arsimin. Me 2.9% të PBB-së, vendi ishte rreth 1 pikë përqindje nën mesataren e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) prej 3.9%. Vlerat më të fundit të përdorura nga OECD për vendet e rajonit ishin: 4.7% për Kosovën, 4.4% për Bosnjë-Hercegovinën, 4.1% për Malin e Zi, 3.7% për Maqedoninë e Veriut dhe 3.3% për Serbinë.

Statistikat e Eurostat mbulojnë financimin publik për të gjitha nivelet e arsimit, nga parashkollor deri tek universitar dhe doktoraturë, por përjashtojnë programet e zhvillimit arsimor në fëmijërinë e hershme. Shpenzimet përfshijnë financimin e drejtpërdrejtë të institucioneve arsimore, si edhe bursat, kreditë dhe transfertat e tjera për nxënësit, studentët dhe familjet e tyre.

Scroll to Top