Të rinjtë në Blegtori: 414 Aplikime për Skemën Kombëtare

Të rinjtë tregojnë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare

Interesi i të rinjve për sektorin e blegtorisë duket se po rritet, duke u shfaqur një numër i konsiderueshëm fermerësh të rinj që kanë aplikuar për mbështetje financiare nga Skema Kombëtare për Bujqësinë 2026.

Deri më tani, nga Skema Kombëtare për Bujqësinë rezulton se kanë aplikuar për financime 414 fermerë të rinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), nga totali i aplikimeve nga fermerët e rinj, fokusimi kryesor ka qenë te:

  • 223 aplikime (54% e totalit) për blerje kafshësh.
  • 164 aplikime (40%) për makineri bujqësore.
  • 27 aplikime (6%) për strehim kafshësh.

Sipas AZHBR, këto investime synojnë forcimin e fermave, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e një bujqësie më moderne dhe konkurruese.

Një nga masat e reja të skemës i drejtohet fermerëve të rinj, të cilët mund të mbështeten me grant deri në 10 milionë lekë (rreth 10 mijë euro), kryesisht për investime në sektorin e blegtorisë.

Mbështetje e veçantë parashikohet edhe për ndërtimin e staneve, me grant deri në rreth 3 milionë lekë. Ndërsa për pajisje dhe makineri bujqësore, mbështetja arrin deri në 500 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen edhe pajisje si tankerët për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit.

Fondi në dispozicion nëpërmjet Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 është në vlerën e 2.5 miliardë lekëve.

Për vitin 2026, skema kombëtare ka pësuar një sërë ndryshimesh. Krahasuar me vitin 2025, u rrit vlera e mbështetjes për blegtorinë dhe u përgjysmuan pragjet për numrin e kafshëve në fermë për përfitimin e subvencioneve.

Scroll to Top