Zëvendëskryeministrja Balluku: Shqipëria drejt lidhjes direkte me Italinë përmes një linje nënujore energjie
Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, vizitoi këtë të enjte nënstacionin “Tirana 2”. Investimet e kryera aty synojnë rritjen e kapaciteteve transmetuese, duke siguruar kështu përmirësimin e furnizimit me energji për rajonin e Durrësit dhe të gjithë zonën jugperëndimore.
“Jemi në një nivel të kënaqshëm sa i përket humbjeve,” theksoi ajo. “Por unë e them gjithmonë në të gjitha takimet ndërkombëtare se pjesa e operatorit të transmetimit është më e rëndësishmja në sistemin energjetik të një vendi, pasi ajo na lidh me rajonin dhe fqinjët.”
Balluku shtoi se volumi i energjisë elektrike është rritur ndjeshëm në të gjithë rajonin, veçanërisht gjatë verës. Kjo rritje i atribuohet shtimit të vizitorëve në Shqipëri, të cilët shumëfishojnë numrin e banorëve dhe, rrjedhimisht, kërkesën për energji.
Ajo theksoi se linjat transmetuese nga Greqia drejt Shqipërisë dhe anasjelltas, si dhe linja drejt Malit të Zi për eksportet drejt Italisë, janë vazhdimisht të ngarkuara. “Kjo është arsyeja pse Republika e Shqipërisë, prej kohësh, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është ulur në tryezën e negociatave me ministrinë italiane për të diskutuar ndërtimin e linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë direkt me brigjet italiane,” tha Balluku.
