Shqipëria & Konsumatori Aktiv Energjie: Kemi ngecur?

Energjia, raporti: Shqipëria ende jashtë modelit europian të “konsumatorit aktiv”

Shqipëria ka shënuar një rritje të shpejtë të numrit të vetëprodhuesve të energjisë, por ende nuk ka përshtatur plotësisht kuadrin ligjor me modelin europian të “konsumatorit aktiv”. Ky konstatim vjen nga një raport i publikuar nga Energy Community Regulatory Board (ECRB) i Komunitetit të Energjisë.

Raporti thekson se Shqipëria nuk e ka transpozuar ende në legjislacionin primar përkufizimin e “active customer”, siç parashikohet në Direktivën Europiane për Energjinë Elektrike. Megjithatë, vendi ka miratuar konceptin e vetëkonsumatorit të energjisë së rinovueshme, duke u mundësuar konsumatorëve të prodhojnë energji nga burime të rinovueshme për nevojat e tyre.

Sipas raportit, gjashtë nga nëntë vendet e Komunitetit të Energjisë e kanë transpozuar tashmë përkufizimin e konsumatorit aktiv në legjislacionin e tyre primar, ndërsa Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë bërë ende këtë hap. Dokumenti nënvizon se kuadri aktual rregullator në Shqipëri vazhdon të mbështetet në modelin e net-metering, ku energjia e prodhuar kompenson energjinë e konsumuar. Në të gjithë rajonin po zhvillohet një tranzicion gradual drejt modelit net-billing, ku energjia e injektuar në rrjet dhe energjia e marrë nga rrjeti trajtohen veçmas.

Raporti kujton se Direktiva Europiane kërkon që skemat ekzistuese që nuk e bëjnë këtë ndarje të mos jepen më pas datës 31 dhjetor 2026. ECRB rekomandon që vendet e Komunitetit të Energjisë të mundësojnë skema net-billing sa më shpejt të jetë e mundur, madje edhe para vitit 2027.

Dokumenti evidenton gjithashtu se konsumatorët aktivë në Shqipëri nuk mund të marrin pjesë drejtpërdrejt në tregjet e energjisë, por veprojnë përmes furnizuesve. Sipas raportit, ky model kufizon pjesëmarrjen direkte të konsumatorëve aktivë në treg dhe nuk reflekton gjithmonë karakteristikat e këtij segmenti të ri të tregut.

ECRB rekomandon që kuadri rregullator të marrë parasysh madhësinë e konsumatorëve aktivë, duke lejuar pjesëmarrjen direkte të subjekteve më të mëdha dhe përdorimin e agregatorëve për konsumatorët më të vegjël. Raporti shton se konsumatorët aktivë nuk duhet t’i nënshtrohen kërkesave teknike ose administrative joproporcionale për të hyrë në treg.

Sipas ECRB, zhvillimi i mëtejshëm i tregut të energjisë do të kërkojë jo vetëm rritjen e kapaciteteve të prodhimit nga konsumatorët, por edhe përshtatjen e kuadrit ligjor që u mundëson atyre të marrin pjesë më aktivisht në treg.

Scroll to Top