“`html
Shqipëria Mbyll 3 Kapitujt e Parë të Negociatave me BE; Kos: Thellojini Reformat, Shfuqizoni Ligjin për Investimet Strategjike; Rama: Gur Kilometrik Drejt Anëtarësimit
Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Në Bruksel u zhvillua konferenca e 9-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve të parë nga 33 gjithsej. Kapitujt e mbyllur janë: Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura, dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Rama e cilësoi mbylljen e këtyre kapitujve një hap të rëndësishëm përpara, duke theksuar se ky është një mesazh që Shqipëria po jep rezultate.
“Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë drejt BE-së. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim se Shqipëria po ecën përpara dhe reformat po japin rezultate. Sot është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të rëndësishëm të ‘Epokës së re’. Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon për këtë,” deklaroi Rama.
Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përsëriti mesazhin e Brukselit se reformat duhet të vijojnë.
“Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit,” deklaroi komisionerja.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe komenti për protestën që po zhvillohej në Tiranë. Komisionerja Kos theksoi se është rënë dakord më parë me qeverinë shqiptare për të shfuqizuar ligjin për investimet strategjike dhe ligjin për zonat e mbrojtura.
“Lidhur me projektin specifik, mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter. Edhe para se të nisin këto protesta kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e Mbrojtura, gjithashtu do të shfuqizohej ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime do të ishin të nevojshme për të mbyllur negociatat për kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimin e klimës. Do të inkurajoja autoritetet, siç dëgjova, që do ta bëjnë këtë gjë sa më shpejt të jetë e mundur,” deklaroi zyrtarja e lartë e Brukselit.
Pas fjalës së saj, Kryeministri Rama ndërhyri sërish, duke konfirmuar se qeveria ka rënë dakord për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, ndërsa shtoi se ligji për Zonat e Mbrojtura është një ligj i mirë.
“Ligji për investimet strategjike do të anulohet, ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi. Është një ligj për të cilin kemi punuar shumë fortë për ta hartuar. Është ligji i parë në vend për zonat e mbrojtura, sepse nuk kishim një të tillë më parë,” deklaroi Rama.
“`
