Ekonominegative

Shqipëria me probleme pronash, pas Portugalisë në Europë

Shqipëria përballet me probleme të konsiderueshme sa i përket pronësisë, duke u renditur e dyta në Europë pas Portugalisë për sfidat me titujt e pronësisë dhe proceset gjyqësore të gjata.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, Shqipëria ka një indeks të të drejtës së pronës prej 0.80, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është rreth 0.93. Ky indeks mat forcën dhe sigurinë e sistemit të pronësisë, duke përfshirë mbrojtjen ligjore, funksionimin e tregut dhe qartësinë e regjistrave publikë.

Rezultati i Shqipërisë tregon se e drejta e pronës është një pikë e brishtë e sistemit ligjor dhe institucional. Problemet historike me titujt, fragmentimi i regjistrave, proceset e ngadalta gjyqësore dhe mungesa e transparencës pengojnë një mjedis të qëndrueshëm për pronën private.

Megjithëse përpjekjet për digjitalizimin e sistemit kadastral dhe unifikimin e të dhënave kanë sjellë disa përmirësime, reforma mbetet e ngadaltë.

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet pak më dobët se Maqedonia e Veriut (0.81) dhe Bosnja e Hercegovina (0.82). Serbia (0.88) dhe Mali i Zi (0.90) kanë shënuar përmirësime falë digjitalizimit dhe forcimit të mekanizmave gjyqësorë.

Vendet e Bashkimit Europian si Gjermania (0.97), Islanda (0.96) dhe Spanja (0.95) ofrojnë standarde më të larta sigurie ligjore dhe administrimi të pronës.

Distanca prej 15-20 pikësh përqindje mes Shqipërisë dhe vendeve europiane thekson nevojën për thellim të reformave ligjore dhe institucionale në fushën e pronësisë.