Vdekjet nga alkooli, Shqipëria me shifra pozitive
Gjatë sezonit të festave vihet re një rritje e përdorimit të alkoolit, gjë që, sipas ekspertëve, mund të rrisë rrezikun e lëndimeve. Këto lëndime mund të përfshijnë ato si pasojë e aksidenteve rrugore, rrëzimeve, djegieve, helmimeve dhe dhunës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Europë, 1 në 3 vdekje me dëmtime fizike gjatë kësaj periudhe ka si shkak kryesor konsumin e alkoolit. Në Rajonin Evropian, afërsisht një në tre vdekje tek burrat dhe një në pesë vdekje tek gratë, të moshës midis 30 dhe 40 vjeç, i atribuohen alkoolit, thuhet në raportin e OBSH-së. Midis personave të moshës 20 deri në 24 vjeç, alkooli përbën 35% të të gjitha vdekjeve nga lëndimet.
Siç duket edhe në hartën e OBSH-së, vdekjet në Shqipëri për shkak të alkoolit kapin shifrën e 3 humbje jete për 100 mijë banorë, duke u renditur në vendet me përqindje të ulët. Shkalla e vdekshmërisë, e standardizuar sipas moshës, ishte më e larta në Evropën Lindore, veçanërisht në Letoni, Lituani dhe Federatën Ruse, ku vdekshmëria nga lëndimet që i atribuoheshin alkoolit tejkaloi 22.6 për 100 mijë banorë. Ndërkohë, vende të tilla si Azerbajxhani, Taxhikistani, Turqia dhe Shqipëria raportuan disa nga shkallët më të ulëta, shpesh nën 2.9 për 100 mijë banorë.
Një ndarje lindje-perëndim ishte e dukshme në përqindjen e të gjitha vdekjeve nga lëndimet që i atribuohen alkoolit, me shumë vende të Evropës Lindore që tejkalonin 60%, krahasuar me më pak se 20% në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Jugore.
