Vetëm 8.6% e shqiptarëve blejnë bileta online për evente, duke u renditur ndër nivelet më të ulëta në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm 8.6% e individëve në Shqipëri kishin blerë bileta online për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve para vrojtimit të vitit 2025. Kjo përqindje është dukshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve blenë bileta online. Në BE, më shumë se një në katër persona përdorin internetin për të siguruar bileta për evente, ndërsa në Shqipëri ky veprim kryhet nga më pak se një në 11 persona.
Eurostat raporton se, krahasuar me vitin 2024, pesha e qytetarëve të BE-së që blenë bileta online u rrit me 3.8 pikë përqindje. Kjo rritje u nxit nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i koncerteve e festivaleve në kalendarin kulturor europian.
Shqipëria pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut
Përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i kufizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në rajon, Serbia kishte përqindjen më të lartë me 11.4% të individëve që blenë bileta online, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 10.8%. Shqipëria renditej më pas me 8.6%, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën (7.4%), Kosovën (7.35%) dhe Malin e Zi (6%). Edhe Turqia kishte një nivel më të ulët se Shqipëria, me 6.2%.
Diferenca është e dukshme edhe me vendet fqinje të BE-së. Në Greqi, 38.9% e individëve blenë bileta online, më shumë se katër herë niveli i Shqipërisë. Në Kroaci përqindja ishte 28.3%, në Slloveni 20.9%, ndërsa në Bullgari 11.4%. Italia, pavarësisht tregut shumë më të madh të koncerteve dhe aktiviteteve kulturore, kishte një nivel relativisht të ulët për standardet e BE-së, prej 14.2%.
Irlanda dhe Norvegjia në krye
Ndër vendet europiane për të cilat ka të dhëna, Irlanda kishte përqindjen më të lartë, me 51.5% të individëve që blenë bileta online. Pas saj renditej Norvegjia (50.3%), Holanda (48.1%) dhe Danimarka (47.9%). Në Finlandë përqindja ishte 44.2%, në Zvicër 42.2%, ndërsa në Greqi 38.9%. Në këto vende, blerja online është kthyer në mënyrën kryesore për të siguruar bileta për koncerte, festivale, shfaqje dhe aktivitete të tjera.
Brenda Bashkimit Europian, nivelet më të ulëta u regjistruan në Bullgari (11.4%), Rumani (12.6%) dhe Itali (14.2%).
Koncerti i Kanye West tregoi kufijtë e kërkesës vendase
Përdorimi i kufizuar i platformave online për bileta u reflektua edhe në ecurinë e koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë, një nga më të mëdhenjtë në botë, që rezulton i dhjeti më i dëgjuar në platformën Spotify. Aktiviteti ishte planifikuar për një audiencë të madhe me 60 mijë persona, përfshirë edhe turistët, por shitjet ecën më ngadalë nga parashikimet.
Organizatorët kishin deklaruar se duhej të shiteshin të paktën 40 mijë bileta që koncerti të ishte ekonomikisht i leverdishëm, ndërsa pak ditë përpara zhvillimit të tij një pjesë e konsiderueshme e vendeve vijonte të ishte e lirë. Një nga pengesat ishte çmimi i biletave, që varionte nga 120 deri në 330 euro, nivele të larta në raport me fuqinë blerëse të publikut vendas. Edhe interesi nga turistët e huaj rezultoi më i dobët se pritshmëritë fillestare, teksa Shqipëria nuk njihet si një vend që organizon evente të përmasave të tilla.
Në ditët e fundit përpara koncertit, qeveria akordoi rreth 4.2 milionë euro për organizimin e aktivitetit, me argumentin e promovimit të turizmit. Financimi u dha në një kohë kur shitjet nuk kishin arritur nivelin e nevojshëm për leverdinë e deklaruar nga organizatorët, duke u paraqitur nga qeveria si një përpjekje për të shpëtuar koncertin dhe, bashkë me të, imazhin e vendit.
Ky rast tregoi vështirësinë e organizimit të eventeve të mëdha vetëm mbi bazën e kërkesës vendase, në një treg ku jo vetëm fuqia blerëse është e ulët, por edhe përdorimi i internetit për blerjen e biletave është më i kufizuari në Europë.
