Shqipëria mes vendeve “elegante” në Europë sipas Eurostat

Renditja e Eurostat: Shqipëria mes vendeve më “elegante” të Europës

Ndërsa obeziteti po shndërrohet në një nga sfidat kryesore shëndetësore të Europës, Shqipëria vijon të mbetet mes vendeve me normat më të ulëta në kontinent.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2022, vitin për të cilin disponohen informacioni më i fundit për Shqipërinë, 12.6% e popullsisë shqiptare mbi moshën 18 vjeç klasifikohet si obeze. Ky nivel është nën mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 16.3%, dhe më i ulët se në shumicën e vendeve të rajonit.

Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi ka një normë më të ulët, prej 7.8%. Bosnja dhe Hercegovina arrin 15.7%, Maqedonia e Veriut 15.4%, dhe Serbia 13.6%. Edhe Greqia (12.8%) dhe Rumania (12.9%) renditen pak mbi Shqipërinë.

Në krye të renditjes për obezitetin qëndron Malta, ku më shumë se një e katërta e të rriturve, ose 26.6% e popullsisë, janë obezë. Pas saj vijnë:

  • Letonia me 24.6%
  • Islanda me 24.2%
  • Finlanda me 23.2%
  • Irlanda me 22.1%

Në anën tjetër të spektrit, Italia me vetëm 7% dhe Mali i Zi me 7.8% janë dy vendet me normat më të ulëta të obezitetit në Europë.

Europa po shëndoshet

Të dhënat e Eurostat tregojnë se obeziteti është rritur gradualisht gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2014, rreth 15.2% e të rriturve në Bashkimin Europian ishin obezë, ndërsa në vitin 2025 ky numër arriti në 16.3%. Nëse përfshihen edhe personat mbipeshë (ata që nuk janë obezë por kanë peshë mbi normale), më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në BE rezulton të ketë probleme me peshën trupore.

Ekspertët lidhin këtë trend me stilin gjithnjë e më pak aktiv të jetesës, aktivitetin fizik të kufizuar dhe ndryshimet në zakonet ushqimore.

Çfarë mat treguesi i obezitetit?

Treguesi bazohet në Indeksin e Masës Trupore (BMI), i cili llogaritet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra. Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet obez kur BMI-ja është 30 ose më e lartë. Personat me BMI nga 25 deri në 29.9 klasifikohen si mbipeshë.

Kategoria e “mbipeshës” që përdor Eurostat shpesh përfshin si personat mbipeshë ashtu edhe ata obezë. Të dhënat mblidhen për popullsinë mbi 18 vjeç dhe bazohen në Anketën Europiane të Shëndetit (EHIS) dhe statistikat e të ardhurave dhe kushteve të jetesës (EU-SILC).

Scroll to Top