Shqipëria, ndër vendet e Europës me më pak shtretër spitalorë, pavarësisht popullsisë në rënie
Në vitin 2024, Shqipëria ofroi 8,911 shtretër në institucionet publike të shërbimit spitalor, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Duke pasur parasysh popullsinë e vendit prej 2.39 milionë banorësh, kjo përkthehet në 372 shtretër për 100 mijë banorë.
Krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian prej 507 shtretër për 100 mijë banorë, Shqipëria ka një raport më të ulët. Vendndodhja e saj në renditjen evropiane është e ulët, duke mbetur pas shumë vendeve, përfshirë edhe ato të rajonit për të cilat ka të dhëna.
Në rajon, Serbia kryeson me 606 shtretër për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (4520 shtretër në vitin 2021) dhe Mali i Zi (387 shtretër).
Megjithëse popullsia e Shqipërisë është tkurrur në dekadat e fundit, duke kontribuar në një përmirësim të treguesit të shtretërve për frymë krahasuar me vitin 2014 (kur ishin 296 shtretër për 100 mijë banorë), vendi vazhdon të renditet pranë fundit të Europës.
Në vitin 2014, institucionet publike kishin 8,295 shtretër. Një dekadë më vonë, numri i tyre u rrit lehtësisht me 7.4%. Megjithatë, përmirësimi më i ndjeshëm i raportit shtretër-popullsi erdhi kryesisht nga rënia e popullsisë me rreth 400 mijë banorë në të njëjtën periudhë.
Ndërkohë që popullsia numërikisht është në rënie, barra e sëmundjeve po rritet, duke shtuar presionin mbi spitalet shqiptare. Përveç numrit më të ulët të shtretërve në krahasim me shumë vende evropiane, sistemit shëndetësor shqiptar i mungojnë edhe mjekët për shkak të emigracionit.
Situata përkeqësohet nga kthimi i shumë spitaleve rajonale në ambulanca, duke bërë që ndërhyrjet më të vështira të kryhen vetëm në spitalet e Tiranës, duke i mbipopulluar ato.
Diferencat e mëdha në Europë mes veriut dhe lindjes
Sipas Eurostat, në vitin 2024, mesatarja e shtretërve spitalorë për 100 mijë banorë në Bashkimin Europian ishte 507. Megjithatë, kapacitetet ndryshojnë ndjeshëm midis shteteve anëtare, duke pasqyruar organizimin, financimin dhe historinë e sistemeve shëndetësore kombëtare.
Bullgaria raportoi treguesin më të lartë (870 shtretër për 100 mijë banorë), e ndjekur nga Gjermania (759), Rumania (731), Moldavia (709) dhe Austria (655).
Vendet si Çekia, Hungaria, Polonia, Belgjika, Lituania dhe Franca gjithashtu u renditën mbi mesataren e BE-së, duke mbajtur kapacitete spitalore relativisht të mëdha dhe duke u mbështetur më shumë në trajtimin spitalor.
Në anën tjetër të renditjes, Suedia kishte vetëm 187 shtretër për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Lihtenshtajni (220), Holanda (221), Danimarka (226) dhe Finlanda (248).
Numri i ulët i shtretërve në disa nga vendet më të zhvilluara nuk nënkupton domosdoshmërisht një sistem shëndetësor më të dobët. Vendet e Europës Veriore kanë zhvendosur theksin drejt shërbimeve ambulatoriale, kujdesit në shtëpi dhe procedurave që nuk kërkojnë qëndrim të gjatë në spital. Si rrjedhojë, pacientët shtrohen më rrallë dhe qëndrojnë për periudha më të shkurtra.
Megjithatë, kjo qasje nuk mund të aplikohet automatikisht për Shqipërinë, e cila ka vetëm 372 shtretër për 100 mijë banorë, pa pasur një rrjet të krahasueshëm të kujdesit ambulator, shërbimeve në banesë apo trajtimeve të decentralizuara. Përkundrazi, për ndërhyrjet më komplekse, pacientët drejtohen kryesisht drejt spitaleve të Tiranës, duke shtuar presionin mbi institucionet qendrore.
Shqipëria ka pasur më shumë shtretër për banor se Portugalia, Qipro, Norvegjia, Turqia, Italia, Irlanda, Spanja, Finlanda, Danimarka, Holanda, Lihtenshtajni dhe Suedia. Megjithatë, shumica e këtyre vendeve posedojnë sisteme më të zhvilluara të diagnostikimit, parandalimit dhe trajtimit jashtë spitalit, si dhe burime njerëzore e financiare shumë më të mëdha.
Krahasimi duhet interpretuar me kujdes edhe për shkak të metodologjisë. Shifra e Shqipërisë prej 8,911 shtretërish i referohet institucioneve publike të shërbimit spitalor, ndërsa të dhënat e Eurostat mund të përfshijnë kategori më të gjera institutionsh, sipas raportimit të secilit vend. Megjithatë, treguesi mbetet një sinjal i qartë për kapacitetet e kufizuara të sistemit publik shqiptar, ku kryhet pjesa më e madhe e shërbimeve të rënda dhe urgjente.
