Shqipëria mungon plani i sigurisë energjetike BE

Siguria e furnizimit me energji: Shqipëria ende pa një plan përgatitjeje sipas standardeve të BE-së

Shqipëria nuk disponon ende një plan gatishmërie për të siguruar furnizimin me energji, duke mos respektuar parimet e përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Europian. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka vënë në dukje se afatet për plotësimin e disa kërkesave lidhur me rregulloren përkatëse, kanë skaduar prej vitesh, ndërkohë që procesi i përafrimit mbetet ende në fazën e diskutimeve.

“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as nuk ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023,” thuhet në raport.

Raporti thekson se një version pune i projektligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë disa dispozita të Rregullores (BE) 2019/941. Ky projektligj parashikon që ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë elektrike të jetë autoriteti kompetent dhe vendos detyrimin që ky autoritet të miratojë një plan përgatitjeje ndaj rreziqeve.

Më tej, dokumenti nënvizon se transpozimi i plotë dhe zbatimi i Rregullores do të kërkojnë përpjekje të mëtejshme për hartimin dhe miratimin e legjislacionit parësor dhe dytësor përkatës. Gjithashtu, Rregullorja (BE) 2017/2196 nuk është transpozuar ende.

Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.

Në lidhje me sigurinë kibernetike, raporti vlerëson zhvillimet kryesore siç janë miratimi në vitin 2024 i Ligjit të ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2) dhe pasqyron standarde më të gjera evropiane. Përveç kësaj, është krijuar Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në këtë fushë.

Ky dokument analizon gjithashtu ecurinë sa i përket sigurisë së furnizimit me gaz dhe naftë. Në këto fusha, secila mbetet në faza të ndryshme të zbatimit të kërkesave, me sektorin e gazit më të avancuar, ndërsa ai i naftës ka realizuar vetëm 23 për qind të planit të përafrimit./Monitor

Scroll to Top