Shqipëria Mungon Planin e Sigurisë Energjetike, AFATI KALON

Siguria e Furnizimit me Energji: Shqipëria Mungon Ende një Plan Përgatitjeje

Shqipëria nuk disponon aktualisht një plan gatishmërie për të garantuar sigurinë energjetike, në përputhje me parimet e përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Europian.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka vënë në dukje se afatet për plotësimin e disa kërkesave të lidhura me rregulloren përkatëse, e cila adreson këtë çështje, kanë kaluar prej vitesh. Përafrimi legjislativ mbetet ende në fazën e diskutimeve.

“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as nuk ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023. Një version pune i projektligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike, i shqyrtuar nga Sekretariati në korrik 2025, synon të transpozojë disa dispozita të Rregullore (BE) 2019/941. Ky projektligj parashikon që ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë elektrike të jetë autoriteti kompetent dhe vendos detyrimin që ky autoritet të miratojë një plan përgatitjeje ndaj rreziqeve”, thuhet në raport.

Dokumenti thekson se, megjithatë, transpozimi i plotë dhe zbatimi i Rregullores do të kërkojnë përpjekje të mëtejshme për hartimin dhe miratimin e legjislacionit parësor dhe dytësor përkatës. Gjithashtu, Rregullorja (BE) 2017/2196 nuk është transpozuar ende.

Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.

Sa i përket sigurisë kibernetike, raporti vlerëson se:

  • Zhvillimet kryesore përfshijnë miratimin në vitin 2024 të Ligjit të ri gjithëpërfshirës nr. 25/2024, i cili është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën e BE-së për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit (NIS2) dhe pasqyron standarde më të gjera evropiane.
  • Është krijuar Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), për të mbikëqyrur dhe koordinuar përpjekjet e vendit në këtë fushë.

Dokumenti analizon gjithashtu ecurinë lidhur me sigurinë e furnizimit me gaz dhe naftë. Këto çështje mbeten në faza të ndryshme të zbatimit të kërkesave, ku më e avancuara është ajo e gazit, ndërsa për naftën realizimi i planit të përafrimit është vetëm 23 për qind.

Scroll to Top