Shqipëria, tregu me rritjen më të shpejtë në Europën Juglindore për akomodime me qira ditore
Në rajonin e Ballkanit, pak tregje turistike po zgjerohen me ritmin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të AirDNA për 12-mujorin e përfunduar në mars 2026, oferta e akomodimeve afatshkurtra në vend u rrit me 19.3%, duke shënuar ritmin më të lartë mes vendeve të krahasuara në rajon.
Mesatarisht, Shqipëria numëronte gati 27 mijë listime të disponueshme çdo muaj. Vetëm Rumania e tejkalon Shqipërinë për nga madhësia e tregut, duke ofruar mesatarisht 32,828 listime mujore. Pas Shqipërisë renditen Mali i Zi me 21,143 listime dhe Bullgaria me 18,167.
Ndërsa Rumania operon mbi një bazë më të madhe, Shqipëria po rrit kapacitetet e saj me një shpejtësi dukshëm më të lartë. Kjo diferencë bëhet edhe më e qartë kur krahasohen ritmet e rritjes. Oferta e akomodimeve në Shqipëri u zgjerua me 19.3% në baza vjetore, krahasuar me 9.9% në Malin e Zi, 9.2% në Rumani, 8.9% në Serbi, 7.7% në Slloveni dhe 5.7% në Bullgari. Ky tregues e rendit Shqipërinë në krye të rajonit për nga ritmi i zgjerimit të tregut.
Rritja e ofertës është shoqëruar edhe me një zgjerim të kërkesës. Numri i net-qëndrimeve u rrit në 2.36 milionë gjatë periudhës së analizuar, nga rreth 2 milionë një vit më parë. Të ardhurat arritën në rreth 133.7 milionë euro gjatë 12-mujorit të mbyllur në mars 2026.
Megjithatë, një element tjetër që bie në sy nga shifrat është fakti se ritmet e zgjerimit të ofertës kanë tejkaluar ato të kërkesës. Kjo ka sjellë një rënie të lehtë të normës mesatare të zënies (rezervimeve) në 53.9%, nga 54.5% një vit më parë.
Turizmi në vend vijon të mbetet thellësisht sezonal, pavarësisht përpjekjeve për ta bërë atë një destinacion gjithëvjetor. Kërkesa arrin kulmin gjatë muajve të verës, ndërsa pjesa tjetër e vitit mbështetet në nivele dukshëm më të ulëta aktiviteti. Kjo situatë e bën menaxhimin e kapaciteteve një sfidë po aq të rëndësishme sa edhe zgjerimin e tyre.
Profili i vizitorëve po bëhet gjithashtu më ndërkombëtar. Grupet e turistëve që po bëhen gjithmonë e më prezentë në vend, si dhe marrëveshjet që po lidhin me tur-operatorët, po bëhen më të larmishme. Këto marrëveshje përfshijnë kontrata me garanci, allotment apo dhe trajtimin e turistëve individualë.
Franca përbën tregun më të madh të origjinës për qëndrimet në Airbnb, e ndjekur nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Për momentin, Shqipëria nuk është tregu më i madh i akomodimeve afatshkurtra në Ballkan, por po zgjerohet më shpejt se çdo vend tjetër i rajonit, duke forcuar pozicionin e saj në hartën turistike të Europës Juglindore.
