Shqiptari plagos me thikë babë e bir në Itali
Një 30-vjeçar shqiptar u arrestua pasi akuzohet se gjatë një konflikti në një lokal gjatë fundjavës, ka goditur dhe plagosur me thikë pronarin e lokalit, i cili punonte si barist, dhe djalin e tij, që punonte si kamerier.
Ngjarja ka ndodhur në një Bar-Pastiçeri “San Lorenzo”, në Via Roma në Occhiobello. Shqiptari u paraqit dje në gjykatë, ku u konfirmua masa e sigurisë së paraburgimit në Gjykatën e Rovigos. Ai akuzohet për dy vepra vrasjeje të mbetur në tentativë.
Sipas hetimeve paraprake, rezulton se babai i kamerierit, i cili është edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka pësuar dëmtime më të rënda teksa përpiqej të mbronte të birin nga sulmi. Policia tha se pronari ka plagë në pjesën e gjoksit, të shkaktuara nga thika.
I dyshuari, nën ndikimin e alkoolit, kërkoi më shumë shërbim nga lokali. Pas një debati dhe refuzimit për t’i shërbyer më pije alkoolike, babë e bir e nxorën klientin jashtë, ku konflikti u përshkallëzua në një therje me thikë.
Kur mbërritën oficerët, duke iu përgjigjur një telefonate në 112, autori u gjet me dorezën e thyer të thikës ende në dorë, ndërsa tehu mbeti i ngulitur në trupin e pronarit të lokalit, i cili u godit në gjoks pranë brinjëve.
Burri i plagosur u dërgua me urgjencë në Spitalin Rovigo dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij mbetet serioze, por jo kërcënuese për jetën.
Gjatë ndërhyrjes, sulmuesi vazhdoi të shfaqte sjellje të dhunshme, madje edhe ndaj policisë, duke e bërë të domosdoshme imobilizimin dhe më pas arrestimin e tij në flagrancë, sipas informacioneve nga mediat italiane.
Në fund, shqiptari u arrestua dhe u mbyll në izolim.
