Arrestohet në Serbi 23-vjeçarja shqiptare, e shpallur në kërkim nga Interpoli
Një 23-vjeçare, e shpallur në kërkim nga Interpoli që nga viti 2021, është arrestuar në Serbi. Rinesa Raci akuzohej si bashkautore e një vjedhjeje me dhunë në Tropojë.
Para dy vitesh, Raci u dënua nga Gjykata e Kukësit me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhje me dhunë” në fshatin Dojan të Tropojës.
Në kuadër të këtij operacioni të koduar policor, autoritetet serbe, në bashkëpunim me ato shqiptare, po punojnë për ekstradimin e 23-vjeçares drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit bëri të ditur se “Finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar, të koduar ‘The Wanted’. Arrestohet në Serbi, bashkautorja e një vjedhjeje me dhunë, kryer në vitin 2021, në Tropojë.
Si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet policore serbe, koordinuar nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit, u arrestua në Serbi, në kuadër të operacionit ‘The Wanted’, shtetasja e kërkuar ndërkombëtarisht, R. R., 23 vjeçe. Në vitin 2024, Gjykata e Kukësit e ka dënuar këtë shtetase me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale ‘Vjedhja me dhunë’, kryer në bashkëpunim.
Në vitin 2021, në fshatin Dojan, Tropojë, shtetasja R. R. dhe shtetasi V. M. i vodhën me dhunë një shtetaseje celularin dhe një shumë eurosh. Strukturat policore homologe po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 23-vjeçares në Shqipëri.”
