Bashkimi Evropian ka dhënë 1.1 milionë leje qëndrimi për shqiptarët, Gjermania arrin një rekord prej 124 mijë
Emigrimi i shqiptarëve drejt Bashkimit Evropian ka vijuar me ritme të larta në 10 vitet e fundit, duke tejkaluar gradualisht valët e mëparshme të largimeve të dy-tre dekadave më parë, periudhë kur Shqipëria përjetoi një tranzicion të vështirë ekonomik pas kalimit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut në fillim të viteve ’90-2000.
Nga viti 2008 deri në 2025, vendet e BE-së kanë lëshuar rreth 1.1 milionë (1,082,224) leje qëndrimi të para për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga “Monitor”. Për periudhën 2008-2016, u dhanë gjithsej rreth 509.5 mijë leje. Një numër i konsiderueshëm i këtyre lejeve u lëshuan gjatë viteve 2008-2010, me rreth 70-100 mijë leje në vit, kryesisht në Itali dhe Greqi, ku shqiptarët që kishin emigruar në dekadën paraardhëse filluan të stabilizoheshin dhe të merrnin leje qëndrimi. Këto dy vende bashkë ofruan pothuajse 90% të lejeve në atë periudhë (37% Greqia dhe 53% Italia).
Pas vitit 2012, numri i lejeve u përgjysmua, duke lënë të mendohet se emigracioni po stabilizohej. Megjithatë, një valë e re largimesh nisi pas vitit 2016, duke u përshpejtuar në dekadën e fundit. Për periudhën 2017-2025 u dhanë 573 mijë leje të tjera, duke tejkaluar shifrat e dekadës së mëparshme. Këto të dhëna tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë me ritme më të larta, sidomos kur kjo shifër krahasohet me popullsinë aktuale të Shqipërisë, e cila është ulur në 2.3 milionë banorë nga 3 milionë banorë në vitin 2006.
Ndryshe nga dekada e mëparshme, ku Italia dhe Greqia ishin destinacionet kryesore, gjeografia e emigracionit është zgjeruar vitet e fundit. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia bashkë kanë dhënë 62% të lejeve totale (41% Italia dhe 21% Greqia). Gjermania ka dalë në skenë vitet e fundit, duke tërhequr forcën punëtore të kualifikuar, dhe ka dhënë 20% të lejeve për periudhën 2017-2025. Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka lëshuar 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, duke u renditur në vend të tretë. Italia kryeson me 500 mijë leje të dhëna që nga viti 2008, e ndjekur nga Greqia me 311 mijë.
Franca, ndonëse destinacion kryesor për azilantët, jep shumë pak leje qëndrimi. Që nga viti 2008, rreth 28 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në Francë, të ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia me 13 mijë. Shtete të tjera kanë dhënë më pak se 10 mijë leje. Për periudhën 2008-2018, Mbretëria e Bashkuar ka dhënë rreth 20 mijë leje, ndërsa pas këtij viti të dhënat nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit, Mbretëria e Bashkuar ka qenë një destinacion i preferuar për shqiptarët, me kërkesat për azil që në vitin 2022 arritën në mbi 14 mijë, duke tejkaluar totalin e kërkesave në BE prej 13.2 mijë atë vit.
Viti 2025, Gjermania kalon në vend të dytë për leje qëndrimi
Sipas Eurostat, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi të para për shtetasit shqiptarë, duke shënuar një rritje prej 4% krahasuar me vitin paraprak. Kjo tendencë është e kundërt me vitin 2024, kur lejet patën një rënie prej 14%. Në vitin 2025, Gjermania u rendit e dyta për totalin e lejeve të qëndrimit, me 17 mijë të tilla, pas Italisë me 31.7 mijë dhe Greqisë me 10 mijë. Pas tyre u rendit Franca me vetëm 2.4 mijë leje dhe Belgjika me 1.3 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë më pak se 1000 leje.
Në vitin 2025, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim dhe 29.4% për punësim.
