Shqiptari dënohet me 18 muaj burgim për tentativë hapjeje derë avioni

Shqiptari dënohet me 18 muaj burgim për tentativë hapjeje të derës së avionit në SHBA

Një shtetas shqiptar 24-vjeçar, i deklaruar fajtor për veprime të rrezikshme në një avion, është dënuar me 18 muaj burgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi u njoftua nga Zyra e Prokurorit të Distriktit të Iowas.

Dënimi për Mario Nikprelaj vjen shtatë muaj pas incidentit të ndodhur gjatë një fluturimi të “Delta Airlines”, ku ai u përpoq të hapte me forcë derën e avionit, duke rrezikuar të shkaktonte një tragjedi ajrore. Situata u neutralizua falë ndërhyrjes së stafit të avionit.

Ngjarja ka ndodhur në korrikun e kaluar gjatë një fluturimi të “Delta Airlines”, operuar nga “Sky West”, i cili ishte nisur nga Nebraska drejt Detroitit. I lindur në Michigan, Nikprelaj filloi të shfaqte sjellje shqetësuese ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit. Ai refuzoi fillimisht të vendoste rripin e sigurimit, pavarësisht përpjekjeve të një asistente fluturimi për ta bindur.

Gjatë ngritjes së avionit, 24-vjeçari vazhdoi të hiqte rripin e sigurimit dhe të ngrihej nga vendi, duke mos iu bindur kërkesave të stafit. Sipas prokurorëve, ai ka shfaqur sjellje agresive, duke i treguar gishtin e mesëm një asistente fluturimi dhe më pas duke e shtyrë atë. Ai gjithashtu ka kërcënuar se do ta vriste, pasi stafi i avionit njoftoi se do ta raportonin tek autoritetet.

Përpara se të shpërthente përsëri kaosi, 24-vjeçari dukej se po flinte. Megjithatë, pasagjerët aktivizuan butonat e emergjencës kur e panë atë duke ndërhyrë në derën e daljes së emergjencës. Si pasojë e këtyre incidenteve, avioni bëri një ulje emergjente në Iowa.

Ndërsa avioni po ulej, Nikprelaj u ngrit sërish, hoqi këmishën dhe filloi të ecte lart e poshtë nëpër kabinë. Anëtarët e ekuipazhit kërkuan ndihmën e pasagjerëve për të mbajtur të riun, i cili sulmoi tre pjesëtarë të stafit dhe u përpoq t’i godiste.

Pas uljes, 24-vjeçari u mor në paraburgim. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën një shishe me 41 pilula, të dyshuara si qetësues. Ai u akuzua për sjellje të çrregullt, sulm, posedim të barnave me recetë, shkelje të ligjit për pullat tatimore dhe ngacmim.

Dosja penale e 24-vjeçarit përfshin dënime të mëparshme për sulm ndaj një oficeri policie, dhunë në familje dhe vepra penale të lidhura me drogën.

Scroll to Top