“The Sun”: Burg për shqiptarin që ndihmoi në ngritjen e “shtëpive të barit” në Skoci
Një emigrant, i cili rezulton të jetë i punësuar nga një bandë kriminale për aftësitë e tij në gjuhën angleze, është dënuar me burg për 5 vjet. Afrim Krasniqi, 29 vjeç, u identifikua si një “ndërmjetës” për një organizatë kriminale shqiptare, e cila kishte arritur të ngrejë një rrjet të pasur të kultivimit të kanabisit në të gjithë Skocinë, me një vlerë të vlerësuar prej gati 4 milionë paundë.
Krasniqi u rekrutua për të ndihmuar pronarët e shtëpive të mashtroheshin, duke u paraqitur si shtetas italian që kërkonte një strehë për familjen e tij. Kjo taktikë u mundësoi bandës të përdorte prona të ndryshme në Renfrewshire, Edinburgh, Penicuik (Midlothian), Aberdeen, Ayrshire dhe Angus për t’i kthyer ato në ferma kanabisi.
Ai u arrestua pasi u gjurmua në një adresë në kryeqytetin skocez, Edinburg. Sipas llogaritjeve të detektivëve, kultivimet e kanabisit arrinin një vlerë të konsiderueshme në tregun e paligjshëm prej rreth 3.8 milionë paundë.
Krasniqi u dënua në Gjykatën e Lartë në Glasgow, pasi më parë kishte pranuar fajësinë për përfshirje në furnizimin me drogë të klasit B, vepër e kryer midis marsit 2021 dhe shtatorit 2023. Gjyqtari Lord Arthurson, duke iu drejtuar Krasniqit, i cili konsiderohet si një “hyrës i paligjshëm” në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte lënë Shqipërinë në vitin 2016, theksoi se ai ishte pjesë e një “ndërmarrjeje kriminale në shkallë të gjerë dhe të planifikuar me kujdes”. Gjyqtari vendosi të ulë dënimin me burg nga 6 vjet në 5 vjet, duke marrë parasysh pranimin e fajësisë.
Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur se banorët e Aberdeen kishin njoftuar policinë për shqetësime lidhur me disa prona në qytet, ku oficerët më pas zbuluan ferma kanabisi. Gjithashtu u konstatua se matësit e energjisë elektrike ishin manipuluar.
Prokurori David McLean deklaroi se Krasniqi ishte “përfshirë” në këto prona duke përdorur dokumente identiteti të falsifikuara për t’i marrë ato me qira, dhe më pas u lidh me aktivitetin e kultivimit të kanabisit, duke përfshirë edhe St Andrews dhe Angus.
Avokati mbrojtës Iain McSporran shpjegoi para gjykatës se roli i Krasniqit ishte kryesisht si një person me aftësi më të mira në gjuhën angleze sesa anëtarët e tjerë shqiptarë të bandës, të cilët ishin drejtuesit kryesorë. Ai shtoi se Krasniqi nuk kishte asnjë rol tjetër, as në kultivimin e drogës, por ishte në dijeni se po ndihmonte një veprimtari kriminale. Sipas avokatit, Krasniqi ishte në vështirësi financiare kur mori vendimin e gabuar për t’u përfshirë, duke pranuar se tani duhet të paguajë për veprimet e tij.
