Shtyhet gjyqi për shqiptarin i akuzuar për aksident me vdekje të studentes greke në Selanik.
Gjyqi ndaj 23-vjeçarit shqiptar, i cili ishte pasagjer në makinën që përplasi dhe plagosi për vdekje studenten 21-vjeçare Emma Karyotaki në nëntor 2022, në zonën e Kamaras, në qendër të Selanikut, është shtyrë deri në shtatorin e ardhshëm.
Dy vjet pasi shoferi 30-vjeçar i makinës fatale u dënua me 16.5 vjet burg në shkallën e parë, prindërit e Emmës u gjetën sërish në gjykatat penale të Selanikut. Këtë herë, ata ngritën një padi kundër pasagjerit, për strehim të një krimineli.
Tani, edhe 23-vjeçari pasagjer, i cili më parë ishte shpallur i pafajshëm nga Këshilli Gjyqësor kompetent për bashkëpunim me shoferin, akuzohet, sipas padisë, për mosinformim të autoriteteve dhe mospengim të shoferit të dënuar të largohej nga vendi i aksidentit.
Gjyqi ishte parashikuar të zhvillohej sot në Gjykatën e Kundërvajtjeve me Anëtar të Vetëm të Selanikut, por u shty. Kjo për shkak se vendimi lidhur me kërkesën për dëmshpërblim, e cila është ngritur kundër pasagjerit për vuajtje psikologjike, është ende në pritje të shqyrtimit në gjykatat civile.
Ky zhvillim shkaktoi një reagim të fortë nga nëna e Emmës, e cila akuzoi gjykatën për mohim të drejtësisë.
“Studentja fatkeqe e Shkollës Veterinare, me origjinë nga Kreta, ishte shtruar pas aksidentit për pesë ditë në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Papageorgiou, ku më në fund dha frymën e fundit. Duke demonstruar madhështi shpirti dhe pavarësisht zisë së tyre të thellë, prindërit vendosën të dhuronin organet e vajzës së tyre,” shkruan media greke.
Kujtohet se shoferi 30-vjeçar, me origjinë nga Shqipëria, u dënua në dhjetor 2023 nga Gjykata me Tre Anëtarë për Çështjet Penale të Selanikut dhe që atëherë ka mbetur i burgosur. Gjykata e shkallës së dytë është përcaktuar të mbahet në muajt në vijim.
Sipas aktakuzës, shoferi kishte zhvilluar shpejtësi të tepërt, duke arritur në 104 km/orë në një zonë me limit të lejuar prej 50 km/orë. Makina, e cila nuk ishte e tija, ishte gjithashtu teknikisht e pasigurt dhe e rrezikshme, pasi i ishte nënshtruar modifikimeve me qëllim shumëfishimin e fuqisë së saj.
