Shtyn seanca për Metën e Kryemadhin, SPAK sjell prova të reja

Shtyhet sërish seanca paraprake ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për ish-presidentin Ilir Meta dhe deputeten Monika Kryemadhi është shtyrë sërish sot.

Shkak për shtyrjen e gjyqit ka qenë mungesa e avokatit mbrojtës të znj. Kryemadhi.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sjellë prova të reja në gjyq kundër z. Meta dhe znj. Kryemadhi.

Ilir Meta, President i Partisë së Lirisë, u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, në disa episode që datojnë nga rreth 15 vite më parë, kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private. Gjithashtu, dyshohen për veprimtari të tjera që përfshijnë lobime në SHBA dhe shitblerje banesash, në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, znj. Kryemadhi është hetuar për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.

Më datë 23 tetor, Gjykata la në fuqi masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj znj. Kryemadhi, për veprat penale të përmendura, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë, ndaj Piro Xhixhos, i cili hetohet për korrupsion pasiv, iu zëvendësua masa e sigurimit nga “arresti në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Të tre të hetuarit, të cilët janë nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

Scroll to Top