Shtyrje mbledhjeje mandate, debate dhe akuza për Ballukun

Pas 5 orësh diskutimesh, shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut, Berisha publikon pamjet nga debati mes Bardhit dhe Peleshit

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku u shqyrtua për 5 orë kërkesa për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, është shtyrë pa një vendim përfundimtar. Procesi u shoqërua me debate të forta, dhe edhe vendimi për shtyrjen e mbledhjes, datën e të cilës ende nuk e ka një datë të caktuar, nuk u arrit në konsensus nga Partia Demokratike.

Ndërkohë, anëtarët e Këshillit kanë marrë USB-të me 10 mijë faqe prova të paraqitura nga SPAK kundër znj. Balluku.

Sali Berisha ka publikuar një video nga mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në video duket Gazment Bardhi duke i drejtuar fjalën kryetarit të grupit socialist, Niko Peleshi:

“Cakto datën e mbledhjes. Kur është mbledhja e radhës? Çfarë date? Do ta thërrasim për të hënën. Nuk ju përgjigjet Rama në telefon, dhe shtyni mbledhjen. Turp.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi më pas se denoncon “aktin e pashembullt për bllokimin e drejtësisë dhe shkeljen e rëndë të Kushtetutës, pas ndërprerjes së mbledhjes së Komisionit të Mandateve pa u vendosur për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.”

Sipas z. Berisha, kryetari i grupit socialist Niko Peleshi, “me urdhër të Ramës, refuzoi t’u vërë në dispozicion deputetëve provat e Prokurorisë që faktojnë vjedhje me vlerë qindra miliona euro.”

Berisha theksoi se ky veprim synon të pengojë arrestimin dhe ndëshkimin ligjor të znj. Balluku dhe përbën “një akt flagrant antikushtetues.”

Partia Demokratike dënon ashpër fshehjen e provave dhe thekson se, pavarësisht përpjekjeve për bllokim, Edi Rama dhe Belinda Balluku nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor për akuzat e mega-vjedhjeve.

“Sot, Niko Peleshi në një akt të pashembullt antikushtetues nuk i jep deputetëve, anëtarë të Komisionit të Mandateve, provat e prokurorisë që faktojnë vjedhjet e qindra-milionë eurove nga Rama, Balluku. Pas 6 orësh debate ai ndërpreu me urdhër të Ramës mbledhjen e Komisionit të Mandateve pa vendosur heqjen e imunitetit të znj. Balluku dhe duke mos lënë kohë tjetër për mbledhjen e Komisionit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe aktin antikushtetues të fshehjes së provave të krimit dhe bllokimin e drejtësisë nga Edi Rama. Partia Demokratike i thotë Edi Ramës dhe znj. Ballukut se asgjë në botë nuk ju shpëton ju nga ndëshkikimi ligjor i merituar për mega-vjedhjet tuaja”, tha Berisha.

Scroll to Top