Mjetet elektrike, siguracion më i lirë
Sistemi i përcaktimit të primeve të sigurimit, i bazuar në disa faktorë rreziku, inkurajon përdorimin e automjeteve elektrike, të cilat paguajnë një prim sigurimi më të ulët krahasuar me automjetet me motorë me djegie të brendshme.
Nga fillimi i vitit 2025, ka hyrë në fuqi aplikimi i tarifave të reja për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike ndaj palëve të treta, duke u bazuar në disa faktorë rreziku. Ky ndryshim ka sjellë një diferencim të çmimit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve, në varësi të fuqisë motorike, vjetërsisë, moshës së drejtuesit të mjetit dhe qarkut ku mjeti është regjistruar.
Duke filluar nga viti 2026, do të aplikohet edhe parimi bonus-malus, i cili parashikon çmime më të larta për ata që shkaktojnë dëme (malus) dhe më të ulëta për drejtuesit që nuk shkaktojnë dëme (bonus).
Sistemi i ri, i cili aplikohet që nga viti 2025, ofron prime më avantazhuese për automjetet elektrike, pavarësisht fuqisë së tyre. Për mjetet elektrike, nuk ekziston treguesi i kubikazhit ose madhësisë së motorit, i cili aplikohet për motorët me djegie të brendshme. Në llogaritjen e primit të sigurimit TPL (Përgjegjësia Civile Ndaj Palëve të Treta), mjetet elektrike klasifikohen me koeficientin më të ulët të parashikuar nga sistemi, atë që aplikohet për automjetet me madhësi motorike më të vogël se 1300 cm³.
Ky veprim bën që çmimi i siguracionit të jetë më i ulët, pavarësisht fuqisë efektive të motorit elektrik të mjeteve. Edhe pse fuqia e motorëve elektrikë mund të jetë më e lartë krahasuar me mjetet me djegie të brendshme, aplikimi i një koeficienti minimal konsiderohet një nxitje për mjetet elektrike.
Një faktor tjetër që kontribuon në çmime më të ulëta për mjetet elektrike është mosha e tyre mesatare më e re. Në përgjithësi, makinat elektrike janë prodhim i viteve të fundit dhe mosha e mjetit është një faktor që diferencohet në llogaritjen e primit të sigurimit; sa më i ri mjeti, aq më i ulët është primi.
Për shembull, për një automjet elektrik që sigurohet me parametrat minimalë të riskut (përdorim nga individ me moshë mbi 21 vjeç, mjet deri në pesë vjeç dhe i regjistruar në një qark me frekuencë të ulët aksidentesh), primi vjetor i sigurimit kushton më pak se 15,500 lekë. Për të njëjtin mjet, por të regjistruar në Tiranë, primi i sigurimit është afërsisht 16,000 lekë.
Edhe pse sistemi i llogaritjes së tarifave TPL nuk përmban stimuj specifikë për faktin se këto mjete janë elektrike dhe kanë një ndikim më të ulët negativ mjedisor, koeficienti për madhësinë e motorit siguron që primi i sigurimit të jetë më i ulët krahasuar me një mjet me motor tradicional me djegie të brendshme.
Mjetet elektrike në rritje
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në fund të vitit 2024, në Shqipëri rezultonin të regjistruara 5,722 mjete elektrike aktive. Numri i mjeteve elektrike aktive u dyfishua vitin e kaluar, duke treguar një tendencë të shpejtë rritëse. Megjithatë, pesha e mjeteve elektrike kundrejt flotës totale të mjeteve në qarkullim mbetet modeste, vetëm 0.6%.
Në regjistrimet e reja, pesha e mjeteve elektrike është në rritje të dukshme. Nga 44,232 mjete të regjistruara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, pothuajse 9% e tyre (3,901 njësi) ishin mjete elektrike, kryesisht autovetura. Shumica e mjeteve elektrike të importuara këtë vit janë nga prodhues kinezë, me pothuajse gjysmën nga prodhuesi i madh BYD.
Shifrat tregojnë se tendencat e përdorimit të mjeteve elektrike në Shqipëri janë në rritje. Nxitja kryesore duket se vjen nga bizneset, të cilat i shohin mjetet elektrike si një mënyrë për uljen e kostove operacionale. Flotat e kompanive të taksive, që funksionojnë kryesisht me energji elektrike, janë një shembull i dukshëm. Përdorimi i mjeteve elektrike po rritet edhe në mjetet e punës për kompanitë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Në segmentin individual, depërtimi i automjeteve elektrike vlerësohet të jetë më i ngadaltë për disa arsye. Për shkak se makinat elektrike janë përgjithësisht më të reja, çmimi i tyre është mesatarisht më i lartë krahasuar me automjetet me motorë me djegie të brendshme, ku ekziston mundësia për të blerë mjete më të vjetra dhe më të lira.
Faktorë të tjerë frenues përfshijnë infrastrukturën ende të pamjaftueshme të pikave të karikimit dhe kufizimet në autonominë e përdorimit. Ndërsa janë një zgjidhje e mirë për udhëtime të shkurtra, këto mjete mund të perceptohen si jo shumë praktike për udhëtime të gjata, duke pasur parasysh mungesën e një rrjeti të gjerë stacionesh karikimi.
Lehtësitë për mjetet elektrike
Aktualisht, shteti shqiptar aplikon disa lehtësira për automjetet elektrike.
- Që prej vitit 2019, për këto automjete nuk aplikohen tarifat e lidhura me regjistrimin, si pagesat për kontrollin fizik, nxjerrjen e lejes së qarkullimit, pajisjen me targa apo nxjerrjen e certifikatës së pronësisë.
- Që prej vitit 2020, mjetet që funksionojnë vetëm me motor elektrik janë të përjashtuara nga pagesa e TVSH-së, por vetëm në rastin kur janë mjete të reja, me kilometra zero dhe të paregjistruara më parë në një shtet tjetër. Ky përjashtim vlen për importin ose shitjen e parë brenda vendit, për aq kohë sa mjeti mban kilometrazh zero. Pasi automjeti elektrik klasifikohet si i përdorur, shitja i nënshtrohet TVSH-së (nëse shitet nga një subjekt i regjistruar në skemën e TVSH-së).
- Për mjetet e transportit publik të licencuar për udhëtarë, me autobusë me nëntë plus një vende ose më shumë dhe vetëm me motor elektrik, aplikohet një shkallë e reduktuar e TVSH-së prej 6%. Në këtë rast, ligji nuk parashikon kufizime për moshën e mjetit.
Rritet çmimi i energjisë për pikat e karikimit
Ndërsa legjislacioni shqiptar ofron lehtësitë e mësipërme, në tetor, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mori një vendim për rritjen e çmimit të energjisë për stacionet e karikimit të mjeteve elektrike. Sipas vendimit, çmimi i ri për stacionet e karikimit me fuqi të instaluar mbi 11 kW rritet nga 14 lekë/kWh në 22 lekë/kWh. Ky vendim hyri në fuqi nga data 1 nëntor. Gjatë orarit të pikut, energjia për këto kategori do të paguhet 15% më shumë se çmimi bazë, pra me një tarifë prej 25.3 lekë/kWh.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) kërkoi rishikimin e çmimit për kategorinë e pikave të karikimit të makinave elektrike dhe të qytetarëve që instalojnë kapacitet mbi 11 kW për karikim, për shkak se rritja e numrit të përdoruesve ka krijuar kosto të larta te disbalancat. FSHU argumentoi se kostoja mesatare mujore e disbalancave mbi planin dhe konsumit mesatar mujor të pikave/stacioneve të karikimit arrin në 8 lekë/kWh, dhe kjo kosto duhet të shtohet mbi çmimin e shitjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kW.
Shoqata “Taksitë e Klasit të Parë” dhe Sindikata Shqiptare e Taksive i paraqitën ERE-s një kërkesë për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tarifës së re, deri në zhvillimin e një dëgjesë publike me grupet e interesit, si dhe rishikimin e tarifës për të vendosur një çmim preferencial për karikimin e taksive elektrike.
Në vendimin e datës 31 tetor, Bordi i ERE-s refuzoi kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të tarifave të reja. Lidhur me kërkesën për rishikimin e vendimit, Bordi i ERE-s njoftoi se do të shprehet me vendim përfundimtar brenda afateve ligjore.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ERE-s, Sindikata Shqiptare e Taksive u shpreh se rritja e çmimit të energjisë për karikimin e mjeteve elektrike penalizon transportin e gjelbër, dekurajon investimet në energji të pastër dhe bie ndesh me objektivat e qeverisë për dekarbonizim dhe ulje të ndotjes urbane.
