Vendimi/ Nga 1 janari, siguracioni i makinës nuk do të paguhet njësoj nga të gjithë.
Drejtuesit problematikë të automjeteve, të cilët kanë një histori negative me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Ndërsa drejtuesit e automjeteve që nuk kanë shkaktuar shkelje do të përfitojnë ulje të primeve të sigurimit.
Gjatë një raportimi në komisionin e ekonomisë, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, theksoi se aplikimi i sistemit bonus-malus është një mundësi shumë e madhe për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve.
“Nuk ekziston një model që i përshtatet çdo vendi. Këta janë faktorë minimalë që mund të konsiderohen, por mund të zgjerohen më tej për çdo shoqëri. Mund të mos jetë perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve për të treguar më shumë kujdes në drejtimin e automjeteve. Nga 1 janari 2026 do të hyjë në zbatim sistemi bonus-malus. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8%, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, i cili do të luhatet”, tha Mimoza Kaçi.
Lidhur me sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, Kaçi u shpreh se ai është i domosdoshëm pasi vendi ynë ka një risk të lartë.
“Është draftuar një ligj i cili është në konsultim. Është një nismë shumë e mirë, ofron mbulim për banesat sipas një niveli të caktuar, por qytetari mund të shtojë dhe më shumë. Ky është një sigurim minimal”, tha Kaçi.
Drejtuesja e AMF informoi gjithashtu se brenda këtij viti do të hidhet për Konsultim Publik projektligji që do të lejojë përdorimin e kriptovalutave edhe në Shqipëri. Mungesa e një ligji që rregullon këtë treg u ngrit si shqetësim disa ditë më parë edhe në Komisionin e Ligjeve. Sipas të dhënave, në vitin 2024 u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme rreth 11 milionë euro kriptomonedha.
