“`html
“SHTETI BIE ONLINE”: Mungesa e funksionalitetit të sistemeve online paralizon veprimet, bizneset e konsiderojnë të patolerueshme
Bizneset dhe individët po hasin vështirësi të shumta gjatë ditëve të fundit për kryerjen e shërbimeve online. Pavarësisht prezantimit të Ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella”, e cila vepron virtualisht dhe ka sjellë Shqipërinë në vëmendjen ndërkombëtare, realiteti i përditshëm është mjaft i ndryshëm.
Rreth orës 14:00, faqja e E-Albania mund të hapet normalisht, por tentativat për të kryer një shërbim rezultojnë me faqen “të padisponueshme”. Bizneset shprehin ankesa të forta, duke theksuar se sistemet bazë operative të punës nuk funksionojnë prej disa ditësh, një situatë që e cilësojnë si të patolerueshme.
Konkretisht, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), nuk mund të kryhen aplikime për regjistrimin e shoqërive të reja apo për ndryshime të tyre (si shitje kuotash apo kapitale). Sistemi “self care”, përmes të cilit nxirren faturat, funksionon me vështirësi ose nuk funksionon fare. Ndërkohë, sistemi i tatimeve operon normalisht, por të tjerë sisteme, të cilat lidhen përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nuk janë funksionale.
Kjo situatë ka prekur edhe individët. Është e pamundur të bëhen rezervime për pasaporta dhe karta, pasi sistemi i gjendjes civile nuk funksionon. Përmes E-Albania, bëhet me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë një operacion mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik, gjë që mund të ndikojë te shërbimet.
Këto probleme kanë sjellë pasoja edhe për bizneset, të cilat nuk arrijnë të aplikojnë për raporte të përfitimeve afatshkurtra për punonjësit, siç janë raportet e barrë lindje.
Julian Saraçi, ekspert fiskal, shprehet: “Rënia e njëkohshme ose mosfunksionimi i sistemeve kryesore online të shërbimeve për biznesin, si e-Albania, QKB dhe SelfCare, përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik dhe marrëdhënien e bizneseve me administratën publike apo e profesionistëve me klientët e tyre.”
Ai shtoi se këto platforma përbëjnë infrastrukturën bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, edhe nëse e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.
“Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla,” thekson Saraçi.
Në këtë kontekst, bizneset konsiderojnë si të domosdoshme:
- Transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre.
- Forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale.
- Parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave.
- Komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.
“Digjitalizimi është një arritje e rëndësishme, por ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe qasje serioze ndaj riskut operacional. Ne inkurajojmë institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, në dialog me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme,” përfundon Saraçi.
“`
