Manastirliu, Binaj apo Qori? Sondazhi zbulon preferencat e qytetarëve të Tiranës
Në emisionin “Log.” në News24 janë publikuar rezultatet e një sondazhi të fundit, të realizuar nga “Notosondaggi” para zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Tiranë. Sondazhi, i drejtuar nga eksperti italian Antonio Noto, paraqet tendencat elektorale dhe preferencat e votuesve në bashkinë më të madhe të vendit, ku do të zgjidhet pasardhësi i Erion Veliajt.
Sipas pyetjes së katërt të sondazhit, e cila trajtonte “Orientimin e votimit për Kryetar Bashkie të Tiranës”, rezultatet tregojnë një garë shumë të ngushtë mes kandidates së Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, dhe kandidatit të pavarur, të mbështetur nga opozita e bashkuar, Florjan Binaj.
- Ogerta Manastirliu (Partia Socialiste e Shqipërisë) arrin 44,0% të mbështetjes, me një interval besimi mes 42% dhe 46%.
- Florjan Binaj (i mbështetur nga Partia Demokratike, Partia Mundësia, Nisma Thurje, Lëvizja Shqipëria Bëhet) rezulton me 42,0%, në një interval nga 40% deri në 44%.
- Arlind Qori (Lëvizja BASHKË) renditet i treti me 12,5%.
- Marko Dajti (Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar) merr 1,5% të preferencave.
Rezultatet tregojnë se diferenca mes dy kandidatëve kryesorë është vetëm 2 pikë përqindje, duke e bërë garën për Tiranën tepër të hapur.
Sipas të dhënave, ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gëzon nivelin më të lartë të besimit mes qytetarëve të Tiranës. 30% e të anketuarve janë shprehur se “kanë besim” tek ajo si kandidate, 51% “nuk kanë besim”, ndërsa 19% thonë se “nuk e dinë” ose “nuk e njohin”.
Në vend të dytë për nivel besimi renditet aktori dhe aktivisti Florjan Binaj, me: 28% që “kanë besim”, 50% “nuk kanë besim”, dhe 22% “nuk e dinë / nuk e njohin”.
Nga ana tjetër, Arlind Qori, aktivist dhe lider i Lëvizjes BASHKË, rezulton me: 11% që kanë besim, 63% që nuk kanë besim, dhe 26% që nuk e njohin ose nuk janë të sigurt.
Ndërsa Marko Dajti, drejtues i Partisë së Punës së Riorganizuar, ka rezultuar me nivelin më të ulët të besimit publik: vetëm 5% e qytetarëve shprehen se kanë besim, 45% nuk kanë besim, ndërsa 50% nuk e njohin.
