USB-ja e SPAK-ut me 10 mijë faqe prova për Ballukun, prokurori refuzon kërkesën e avokatit të zv.kryeministres për 3 javë kohë: 5 ditë janë të mjaftueshme për t’i lexuar
Të publikuar më 19.12.2025 nga shekulli_admin.
Po mbahet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin e deputetes Belinda Ballukut. Top Channel raporton se burime të sigurta i kanë pohuar se deri më tani në mbledhje, Niko Peleshi ka lexuar relacionin, ndërsa prokurorët e SPAK, mes tyre edhe kreu Klodian Braho, ende nuk kanë folur.
Ndërkohë, nga ana tjetër, anëtari i PD, Gazment Bradhi ka kërkuar që kjo mbledhje të mbahet me dyer të hapura, por është kundërshtuar nga Taulant Balla. Debate ka pasur edhe për USB-në me provat e SPAK, pasi demokratët kanë kërkuar që të hapet dhe t’i marrin për shqyrtim anëtarët.
“Ti shikojmë vetëm këtu,” i është përgjigjur Balla Bardhit.
“Të hapet zarfi i USB-së, të njihen anëtarët në Këshill,” ka deklaruar prokurori.
“Më duhen t’i kem për të ndërtuar mbrojtjen,” ka deklaruar avokati mbrojtës i Belinda Ballukut.
Burime për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu bëjnë me dije se në USB janë 10.000 faqe prova. Ende nuk dihet sesi do të merren, ndërsa avokati i Ballukut ka kërkuar 3 javë kohë, të cilën e kanë mbështetur edhe anëtarët e PS.
Nga ana tjetër, prokurori Dritan Prençi ka deklaruar se 5 ditë janë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet.
Demokrati Gent Strazimiri i pyet prokurorin Prençi, në cilësinë e prokurorit të çështjes: “Duke patur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon, sepse nuk jep dorëheqjen, madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht, a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?”
Prençi: “Afati mendoj të jetë 3-5 ditë.”
PD ka kërkuar të shtyhet mbledhja për ditën e hënë, ndërsa PS ka propozuar datën 19 janar.
