SPAK arreston 10 persona për mashtrime Call Centre

Mashtrimi me Call Centre, 10 të arrestuar nga SPAK, 2 në kërkim

Një operacion i kryer nga SPAK ka rezultuar me arrestimin e disa personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar për mashtrime të organizuara përmes “call centre”-ve.

Sipas raportimeve të News 24, gjatë kontrolleve të SPAK dhe BKH, të zhvilluara më datë 16 janar në disa zyra “call centre” në Tiranë, janë arrestuar 10 persona. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dy pronarë të këtyre bizneseve.

Hetimi, i cili po kryhet në bashkëpunim me autoritetet italiane, ka përfshirë kontrollin e 6 kateve të një kulle luksoze, pranë rrugës “Myslym Shyri”. Gjatë kontrolleve janë zbuluar prova materiale që lidhen me veprimtari të paligjshme. Kontrollet dhe marrjet në pyetje të personave të implikuar po vijojnë edhe sot, më 17 janar.

Veprimet janë realizuar në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të firmosur nga prokurori Vladimir Mara.

SPAK nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi rezultatet e këtyre kontrolleve, ndërsa hetimi vazhdon.

Scroll to Top