SPAK bllokon investim 195M$ në Zvërnec, Rama kritikon

SPAK bllokon transaksionin e investitorit të huaj në Zvërnec, reagon ashpër Rama: Vendimi arbitrar! Prokuroria të hetojë origjinën e pronës, por investimi nuk do të ndalet.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm në kuadër të hetimeve për projektin turistik në Zvërnec, duke bllokuar llogaritë bankare të investitorëve nga Katari. Pak ditë më parë, vëllezërit Khayyat kishin transferuar rreth 195 milionë dollarë në Bankën Kombëtare Tregtare, fonde të planifikuara për blerjen e pronave dhe nisjen e punimeve për resortin e parashikuar në Zvërnec.

Investimi në Zvërnec mbështetet nga sipërmarrës nga Katari, të cilët janë partnerë biznesi të Jared Kushner. Për realizimin e projektit, ata kanë krijuar dy struktura biznesi në Shqipëri: fillimisht degën e kompanisë Urbacon Trading and Contracting, një nga grupet më të mëdha të ndërtimit në vendet arabe, dhe më pas Sazan Holding. Duket se Prokuroria e Posaçme ka vendosur të vërë nën shqyrtim çdo transaksion financiar, duke preferuar që në Shqipëri të qarkullojnë vetëm fondet e ligjshme, si ato të Gys Agasit dhe Belinda Ballukut, dhe jo pagesat bankare të investitorëve nga Katari.

Reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka inkurajuar SPAK për hetimin e nisur mbi origjinën e pronës në Zvërnec, ku pritet të realizohet investimi. Gjatë konferencës së sotme përpara gazetarëve, Rama u shpreh se bllokimi i transaksionit të investitorëve të huaj drejt pronarëve të kësaj prone është një akt arbitrar. Ai shtoi më tej se, teksa hetimet vijojnë për origjinën e pronës, investimi nuk do të ndalet.

Edi Rama tha: “Kjo veprimtari e SPAK-ut ka dy pjesë: pozitive dhe negative. Pjesa pozitive është ajo e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëpritur dhe unë e nxis këtë hetim. Pjesa negative lidhet me ata që kanë dashur të shërbejnë si zëdhënës të SPAK-ut, të cilët kanë ndarë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë në fakt gënjeshtra. Investitorët, të cilët sot janë zotëruesit e pronës dhe që kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm. Burimet e tyre financiare, përmes të cilave është kryer pagesa ndaj pronarëve të tanishëm, janë verifikuar në mënyrë të detajuar edhe nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Investitorët janë në të drejtën e tyre, ndërsa bllokimi i transaksionit nga ana e autoriteteve është arbitrar dhe negativ.”

Ai shtoi se bllokimi i kalimit të parave te pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë për organin hetimor. “Madje, unë e konsideroj pozitive edhe këtë, sepse në këtë mënyrë investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm, ndërsa në rast se hetimi nxjerr në pah një origjinë tjetër të pronës, ata që e pretendojnë atë fare mirë mund t’i marrin këto para. Kështu, të gjitha palët janë të kënaqura, përveç palës që ka mashtruar, nëse vërtet ka mashtruar, por këtë do ta tregojë hetimi. Nuk ka asnjë shans që ky investim të ndalojë sa kohë unë do jem në krye të qeverisë. Jam i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarohet për çfarë janë këto pretendime.”

Scroll to Top