SPAK Çon në Gjyq 11 Persona për Kontrabandë Nafte në Durrës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 të pandehur, të përfshirë në një skemë kontrabande me rreth 200 tonë naftë në portin e Durrësit. Mes të akuzuarve është edhe një punonjës policie i Komisariatit të Durrësit.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të operacionit policor të koduar “Ari i Zi”, i cili çoi në sekuestrimin e anijes me flamur tunizian “AYA ZANOYBYA” dhe të sasisë së naftës së kontrabanduar.

Të pandehurit akuzohen për vepra penale të tilla si “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Vjedhje”, si dhe “Korrupsion aktiv e pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në listën e të pandehurve përfshihen:

  • Armand Marvataj, punonjës policie i komisariatit Durrës, i akuzuar për korrupsion pasiv.
  • Juxhin Koka dhe Drilon Malluta, të akuzuar për kontrabandë, korrupsion aktiv dhe vjedhje.
  • Mohammad Sallit (kapiten i anijes), Nedio Mejdani (oficer i parë), Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom, Samir Bayoumy, Abdoulmohaimen Shanata – shtetas të huaj, pjesë e ekuipazhit të anijes “AYA ZANOYBYA”.

Hetimet kanë zbuluar se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i kanë ofruar 10.000 euro ryshfet punonjësit të policisë Armand Marvataj, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e naftës së sekuestruar nga anija në Porto Romano. Kjo veprimtari është realizuar në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes.

Gjatë kontrollit të banesës së Marvatajt, shuma prej 10.000 eurosh është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Anija “AYA ZANOYBYA” dhe nafta e kontrabanduar janë sekuestruar më 12.1.2025, në kuadër të operacionit policor “Ari i zi”.

Dosja penale është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Leave a Comment

Scroll to Top