SPAK: Deputeti Dogjani dhe Çela përplasen për apartament

Hetimet e SPAK: Asllan Dogjani përplaset me personin që i shiti shtëpinë

Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, dhe biznesmeni Ilirjan Çela, janë paraqitur në SPAK lidhur me hetimet e nisura nga prokuroria pas kallëzimit të këtij të fundit për një apartament që i ka shitur deputetit në vitin 2006.

Ilirjan Çela pretendon se Dogjani e ka paguar në total për apartamentin 128.4 metra katrorë plus garazh, shumën prej 133.980 euro. Ndërkohë, Dogjani nga ana tjetër thotë se ai nuk e ka paguar Çelën, por banesën e ka përfituar si pasojë e shërbimeve juridike dhe konsulencave që i ka dhënë biznesmenit në vitin 2006, edhe pse në atë kohë nuk dispononte një licencë juridike.

Ndërtuesi Çela, në dalje të SPAK, ka thënë se Dogjani, në bashkëpunim me noteren, ka bërë një kontratë të dytë false, ku thuhej se apartamenti ishte dhuruar.

“Jam akuzuar disa herë nga Dogjani për çështje nga më të çuditshmet që nuk kam asnjë lidhje. Ai thjesht përmend emra, bën deklarata të çuditshme. Ai ka blerë një apartament tek unë. Unë kam ndërtuar një pallat te Hamit Shijaku dhe ai ka blerë apartament me gjithë garazh që bën 134 mijë euro. Më vonë marr vesh që ky na kishte bërë një kontratë të dytë me noteren fallco, ku deklaronte që pronën e ka përfituar nëpërmjet këshillimeve juridike. Më ka dhënë mua ai këshilla juridike. Ai s’ka qenë as avokat në vitin 2006, as licencën nuk e kishte. Unë mendoj që një polic, me një rrogë të thjeshtë të asaj kohe, pa deklaruar pasurinë, o ka korrupsion brenda o bashkëpunim me krimin. Ky i ka paguar paratë, siç funksiononte ato vite, nëpërmjet administratorit tim, i cili i ka derdhur në bankë dhe janë në bankë të regjistruar për blerjen e apartamentit nga Asllan Dogjani. Ky tani pretendon se nuk më ka dhënë asnjë lek. Po ku i gjeti administratori im 134 mijë euro që i pagoi për Dogjanin dhe gjithë blerësit e tjerë! Administratori im, që s’ka bukë të hajë, derdhte lek në bankë për këta, sipas atij. Ai nuk është jurist dhe sot, nuk ka pasur licencë. E ka marrë licencën në vitin 2007. Të shohësh deklarimet e pasurisë të këtij polici, ma kalon dhe mua që i kam shitur elektroshtëpiake gjysmës së Shqipërisë. Po të shohësh një deklarim që i ka falur baxhanaku 164.375 dollarë për të blerë ky një dyqan. Nuk e blinte dot vetë baxhanaku dhe t’ia linte këtij në përdorim. I ka dhënë mamaja 30 milionë lekë me një pension 30 mijë lekë në fshat. Fisi, dashamirësit i ka dhuruar 25 mijë euro. E shoqja, që mesa di unë nuk ka punuar asnjë ditë, deklaron që ka 200 mijë euro të ardhura nga punë të deklaruara jashtë dhe brenda vendit. Një hajdut del dhe thotë kapni hajdutin. Turp që përfaqësohemi nga ky nivel. Ky që i është lëpirë Edi Ramës nga mbrapa me vite të tëra, del dhe shan arkitektin e Shqipërisë Europiane. Sot i lëpihet Berishës. Ka dhe një çun daje ky që ia kam bërë dosjen gati Fatos Rexha, ka qenë kryetar i Paskuqanit për 8 vite. Unë nuk e dija që ekzistonte një kontratë fallco. Kisha bërë një kontratë në shtator 2006 me vlerë 128.4 m dhe garazh me vlerë 13980 euro. Po në 2006 me noteren Abrazi bën këtë kontratën tjetër me këshilla juridike. Nuk po gjeja kontratën origjinale dhe kërkoj djalit të shkojë të marrë një fotokopje për ta noterizuar. Ajo nuk ia jep. Shkoj vetë, më dha këtë paçavuren e dhjetorit. I shkova dhe i thashë çfarë ke bërë. Më bëri dhe kallëzim në prokurori. Ngeli prokurori kur ia çova të dyja. Dhe më pas bëra kallëzim në SPAK. Në deklarimin e pasurisë ka futur këtë kontratën fallco”, tha Çelaj.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Dogjani e akuzon biznesmenin për një sërë çështjesh të tjera, zaptim, borxhe, rrahje. Deputeti demokrat i qëndron të vërtetës së tij, ai thotë se ai apartament i është dhuruar, ndërsa shton se Ilirjan Çela, brenda 1 viti, e ka ndryshuar deklaratën e tij 4 herë.

“Ju pak më parë kishit një person që më ka kallëzuar mua për një apartament në vitin 2006, ndërkohë që e kam shpjeguar. Ai apartament është përfituar nga puna ime për shërbime dhe konsulenca me një kontratë para noterit. Konsultatat jepen dhe pa licencën e avokatit, këshilla miqësore. Njeriu që sot ka detyrime 100 mijë euro ndaj Mentor Dajës, ish-pronar i truallit. I irrituar se unë i kam bërë kallëzim, e ka legalizuar oborrin e pallatit dhe fatmirësisht bashkia pas kaq vitesh ia ka marrë një pjesë të pallatit, të përbashkët. I bëj thirrje Ramës që punonjësit e IMT nuk ia kanë marrë të gjithën. Ky njeri është i kallëzuar nga administratori para 1 jave që e ka rrahur. Është kallëzuar nga komisariati nr.3 për zaptim prone. Është i kallëzuar nga ish-pronarë për vjedhje prone se i ka dhuruar në emër të një Ramazan Gjoni, një pronë që kushton 500 mijë euro. Të dyja kontratat janë bërë me marrëveshje, ky ka qenë atje. Një herë në fillim thotë nuk di gjë për kontratën. Një muaj më vonë thotë u çudita që e pashë atë deklaratë. Por kur vjen deklarata me shkrim dore që ka deklaruar vetë se e ka dhënë shtëpinë për shërbime në vitin 2010, thotë më falni se ia kam bërë për nder Asllanit se ma kërkoi, por e kam bërë në vitin 2021 jo në vitin 2010. Pastaj kur pyetet pas një viti thotë më falni e kam bërë në vitin 2021 por para se të shitej kompania, sot tha në vitin 2010. Kemi bërë kontratën duke qenë dhe ky prezent, fillimisht e kemi bërë me para. Kishte nevojë për shërbimet e mija. E kemi grisur këtë kontratën e parë duke qenë dhe ky atje dhe e kemi bërë për shërbime. Shërbime nuk jepen kur ke autorësi juridike, jepet dhe pa autorësi juridike. Ky njeri është i kallëzuar deri tani me dhjetëra herë nga banorë të pallatit, nga ish-pronarë. Të paktën 4 herë ka ndryshuar brenda 1 viti deklaratën”, tha Dogjani.

Scroll to Top