SPAK heton Drejtorinë e Tatimeve për aferën “Bankers Petroleum”
Skandali i njohur si “afera Bankers” ka marrë përmasa edhe më të gjera pas evidentimit të një dëmi ekonomik që arrin në dhjetëra miliona euro. Hetimet kanë prodhuar deri tani masa sigurie ndaj disa ish-zyrtarëve të kompanisë dhe personave të përfshirë në skemat e dyshuara.
Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja është zgjeruar ndjeshëm. Hetimet tani përfshijnë më thellësisht zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore dhe zyrtarë të cilët dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton veprimet e organeve tatimore që ndër vite nuk kanë ushtruar kontroll apo kanë lejuar shkeljet e kryera nga kompania “Bankers”. Dy prokuroret e SPAK, Anita Jella dhe Enkeleida Millonai, kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e këtyre organeve.
Mësohet se po hetohen vepra të ndryshme penale, përfshirë:
- Krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar
- Fshehjen e të ardhurave
- Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
- Shpërdorimin e detyrës
- Moskryerjen e detyrave nga organet tatimore
- Korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë
- Veprimtari kriminale nga grupi i strukturuar kriminal
Hetimet përfshijnë edhe veprimet e doganave, zyrave të konsulencave dhe strukturave të financave. Dyshohet se zyrtarët e këtyre institucioneve kanë lejuar skemat mashtruese të “Bankers”, ku kompania raportonte humbje fikse për të shmangur pagesën e taksave dhe përfitonte miliona euro.
Zgjerimi i hetimeve reflekton përpjekjen e SPAK për të zbardhur përgjegjësitë e të gjithë zinxhirit administrativ dhe për të ndëshkuar çdo abuzim. Kjo përfshin ish-zyrtarë të kompanisë, punonjës të tatimeve dhe doganave, si dhe zyrtarë vendorë të përfshirë në skemat e dyshuara.
