SPAK kërkon 10 vite burg për Evis Berberi për korrupsion

Korrupsion, pastrim parash dhe shkelje në tendera: SPAK kërkon 10 vite burg për Evis Berberin

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, i cili akuzohet për disa vepra penale.

SPAK kërkon shpalljen fajtor të Berberit dhe dënimin e tij me 10 vite burg për akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe shkeljes së barazisë në tendera. Mund të përfitojë ulje të dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe mund t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Dosja ARRSH

Gjithashtu, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme konfiskimin e shumave monetare të gjetura pranë tij, të cilat kapin vlerën e 15 mijë eurove, 35 mijë paundëve dhe 1 milionë lekëve të rinj, si dhe pasurive të tjera.

Evis Berberi, ish-vartës i ministres Belinda Balluku, u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive lidhur me 8 tendera, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë euro.

SPAK ka ngritur dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro, të cilat janë fituar nga kompania DAAM. Megjithatë, sipas Prokurorisë, kjo kompani në fakt zotërohej nga Berberi.

Gjithashtu, SPAK dyshon se gjatë kohës kur Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë me vlerë rreth 1 milionë euro.

Hetimet e prokurorisë kanë nxjerrë në pah se kompania DAAM është përdorur për kalimin e sasive të mëdha parash nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Valter Begaj, përmes transaksionesh të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë DAAM janë përdorur për blerjen e pronave të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime te Prokuroria për një aktivitet pastrimi parash.

Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, e cila rezulton në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me periudhën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.

Scroll to Top