SPAK kërkon më shumë fonde për të luftuar krimin e organizuar

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: Klodian Braho thekson se SPAK përballet me çështje gjithnjë e më komplekse dhe sfidat e reja kërkojnë mbështetje buxhetore.

Publikuar më 02.06.2026 nga shekulli_admin

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho, deklaroi se institucioni po përballet me një ngarkesë pune në rritje, çështje më komplekse dhe pritshmëri të larta publike, ndërkohë që format e kriminalitetit po ndryshojnë me ritme të shpejta.

Sipas tij, korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, përdorimi i kriptovalutave dhe komunikimet e koduara kërkojnë përgjigje më të specializuar, teknike dhe të qëndrueshme nga institucionet e drejtësisë.

“SPAK është përballur me ngarkesë pune më të madhe, me çështje më komplekse, me pritshmëri më të larta publike dhe forma kriminaliteti që ndryshojnë shpejt. Korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, kriptovalutat, komunikimet e koduara kërkojnë përgjigje institucionale më të specializuar, më teknike dhe më të qëndrueshme.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm te ndjekja e autorëve individualë, por duhet të synojë strukturat, mekanizmat e përfitimit, rrjetet mbështetëse dhe pasuritë e përfituara nga veprimtaritë kriminale. Për këtë arsye, hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës sonë.

SPAK do të forcojë qasjen proaktive në hetim. Krimi i organizuar nuk pret të referohet; ai duhet identifikuar, analizuar dhe goditur përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të mjeteve moderne. Kjo kërkon prokurorë të specializuar, hetues të përgatitur, analistë financiarë dhe ekspertë”, tha Braho në konferencën me ministrin e Drejtësisë, ku u prezantuan edhe rekomandimet e qeverisë për vitin 2026.

Ai shtoi se krimi i organizuar duhet të identifikohet dhe të goditet, por kjo qasje kërkon prokurorë të specializuar, hetues të trajnuar, analistë financiarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, si dhe mbështetje më të madhe buxhetore.

“Është e rëndësishme që sfidat e reja të shoqërohen me mbështetje të reja buxhetore. Kjo mbështetje nuk duhet parë si privilegj institucional, por si investim në aftësitë e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në mënyrë sa më efektive”, përfundoi Braho.

Scroll to Top