“`html
SPAK, Procedim Penal Ndaj Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit
Ndërkohë që dyshja Rama-Balluku po përpiqen të zbusin pasojat e hetimeve të SPAK, duket se prokurorët po shtojnë presionin hap pas hapi, duke nxjerrë nga sirtarët dosjet e vjetra që deri tani ishin pluhurosur në arkiva.
Një prej tyre ishte kallëzimi i Adriana Kalasë, për të cilin Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal ndaj Belinda Ballukut, tashmë të pezulluar nga detyra, dhe ish-kreut të Tatimeve, aktualisht deputet i PS, Ceno Klosi.
SPAK sqaron gjithashtu se materiali kallëzues shtesë, i ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim, është administruar në kuadër të procedimit penal Nr. 95, viti 2025.
“Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal me Nr. 95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi, etj. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet nga SPAK.
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën, më 22 nëntor, të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj. Këto masa vijnë pas marrjes së saj si e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj.
Po ashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Erald Elezi, me funksion aktual administrator i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli.
Gjykata urdhëron SPAK dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe Gjyli e Elezi nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve kur hynë dhe dolën nga ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ku qëndruan për rreth pesë orë e gjysmë gjatë seancës me objekt marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, të caktuar më 19 nëntor.
Balluku, ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi dhe vartës të tjerë të saj, akuzohen se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, masat e sigurimit ndaj Ballukut, si dhe ndaj vartësve të saj që drejtojnë KESH dhe ARRSH, janë të nevojshme pasi mund të dëmtojnë provat, të ndikojnë tek punonjësit e këtyre institucioneve që janë duke u pyetur si dëshmitarë, mund të vijojnë të abuzojnë me fondet publike, si dhe ekziston rreziku i arratisjes.
Masat e sigurimit ndaj Ballukut çmohen nga gjykata se nuk e pengojnë atë të ushtrojë funksionin si e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.
“`
