Drejtuesi i SPAK kërkon trajnim të detyrueshëm për prokurorin Arben Agovi
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka ndryshuar qëndrimin e tij fillestar në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi. Nga kërkesa për shkarkim nga detyra, paraqitur një javë më parë, Dumani ka kërkuar të martën dërgimin e tij për një trajnim njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.
Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson Dumanin në këtë proces, vërejti se pas shpjegimeve dhe provave të paraqitura nga subjekti, dy nga çështjet e trajtuara në ankim nuk kanë më shkaqe për penalizim. Ai më pas paraqiti konstatimet për pesë çështje të tjera hetuar nga Agovi, duke vlerësuar se ato nuk janë trajtuar plotësisht. Sipas Brahos, edhe gjykatat kanë ardhur në përfundime të ngjashme, duke rrëzuar vendime të Agovit.
Braho theksoi se, pavarësisht se pamundësitë financiare dhe problemet me profesionalizmin nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim, është e nevojshme që Agovi të ndjekë një trajnim njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Në përfundim, ai kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin e Agovit, pezullimin e tij nga detyra dhe detyrimin për të ndjekur trajnimin.
Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Agovi, avokati Julian Mërtiri, paraqiti detajisht qëndrimet lidhur me çdo shkak ankimi. Për disa çështje, Mërtiri theksoi se Agovi ka dhënë shpjegime bindëse dhe se gjykatat i kanë vlerësuar të drejta vendimmarrjet e tij. Ai cilësoi veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga Agovi si të plota, të detajuara dhe vendimtare për zgjidhjen e çështjeve. Sipas Mërtirit, Agovi ka dhënë shpjegime shteruese për të gjitha gjetjet e konstatuara dhe se shkaqet e ankimit nuk evidentojnë mangësi profesionale.
Në fund, Mërtiri konsideroi shkaqet e ngritura të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të prokurorit Arben Agovi.
Kolegji u tërhoq për të marrë vendimin, i cili do të shpallet më 12 nëntor, në orën 09:30.
Arben Agovi u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2023, në mënyrë unanime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Gjatë seancës dëgjimore të datës 11 dhjetor, Agovi dha shpjegime për burimin e një apartamenti të blerë nga prindërit, një bilanc negativ si pasojë e pasaktësive në deklarimin e kursimeve cash, si dhe për gjetjet në disa çështje të denoncuara nga publiku. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Komisionerja Publike, Irena Nino, vlerësoi ndryshe nga KPK, duke ngritur shkaqe në kriterin e aftësive profesionale. Ajo pretendonte se subjekti nuk kishte dhënë shpjegime bindëse dhe nuk kishte arritur të provonte të kundërtën e barrës së provës. Nino kërkoi në ankim shkarkimin e Agovit.