**SPAK paraqet prova të reja kundër Ballukut në Apelin e GJKKO-së; masa e ndalimit jashtë shtetit mbetet në fuqi, ndërsa pezullimi nga detyra nuk shqyrtohet. Gentian Gjyli dhe Erald Elezi do të qëndrojnë në “arrest shtëpie”.**
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë së ndalimit të daljes jashtë shtetit për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ndërkohë, Apeli nuk ka shqyrtuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra, caktuar ndaj Ballukut në shkallën e parë, duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimin e kryeministrit Rama, i cili pritet të shprehet më 22 janar.
Belinda Balluku kishte kërkuar nga Apeli i Posaçëm shfuqizimin e masave të sigurisë ndaj saj, si pezullimin nga detyra dhe ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit. Avokatët e saj argumentuan se për çështjen e pezullimit nga detyra, është shprehur më parë Gjykata Kushtetuese.
Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar gjykatëses Miliana Muça ruajtjen në fuqi të vendimit të shkallës së parë, duke përfshirë pezullimin nga detyra. Arsyeja e dhënë nga prokurorët është se Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vetëm efektet e masës, por jo masën e sigurisë në vetvete.
Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqitën prova të reja, të cilat, sipas tyre, rëndojnë pozitën penale të zëvendëskryeministres.
Dy të pandehur të tjerë, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe zëvendësimin e saj me një masë më të butë, pasi sipas tyre, ajo i pengon të ushtrojnë funksionet e tyre. Megjithatë, Apeli nuk i ndryshoi masat e sigurisë ndaj tyre.
Kjo seancë u zhvillua në kohën kur SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut. Kjo kërkesë u bë e nevojshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila riktheu në detyrë Ballukun deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Rama, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes GJKKO-së dhe Këshillit të Ministrave.
Në kërkesën drejtuar Parlamentit, SPAK ka informuar se Balluku, edhe pasi është njohur me akuzën, ka ushtruar presion ndaj një prej personave të përfshirë në këtë çështje, i cili është vartëse e saj. Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 190 milionë euro.
Paralelisht, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet ndaj saj jo vetëm për lotin 4, por për të gjitha 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë përfituar 450 milionë euro.
Drejtori i KESH, Erald Elezi, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Masa e sigurisë i është caktuar për dy tendera me vlerë 210 milionë euro: Tuneli i Llogarasë dhe loti 4 i Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH gjatë kohës së tenderit të Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.
Ndërsa, kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.
