SPAK zbulon apartamentin luksoz të Mirlinda Karçanajt në bregdet

Manovrat me ‘prestanome’: Si e zbuloi SPAK apartamentin e Karçanajt në bregdet

Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) ka zbardhur mekanizmin se si Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e AKSH-it, ishte bërë pronare e një apartamenti luksoz dykatësh në Qerret të Kavajës.

Në dosjen e SPAK evidentohet se personat që figurojnë në dokumentet e pronësisë dhe që kanë kryer transaksionet bankare apo kanë firmosur aktet noteriale janë të lidhur me kompaninë “Soft & Solution” të Ermal Beqirit.

Konkretisht, vila në Qerret, e cila përdorej nga Mirlinda Karçanaj, rezultonte të ishte regjistruar në pronësi të shtetasit Ram Basha. Ky i fundit e kishte blerë apartamentin nga Enxhiana Alimeta, një punonjëse e “Soft & Solution”.

Prokurorët e SPAK kanë marrë në pyetje Ram Bashën dhe Enxhiana Alimetën, por dëshmitë e tyre tregojnë se këta të fundit janë përdorur si ‘prestanome’ (persona të cilët figurojnë pronarë në letra, por në realitet nuk kanë asnjë lidhje me pasurinë).

Ram Basha ka deklaruar se ai nuk ka qenë kurrë në Durrës e aq më pak në Qerret të Kavajës, ndërkohë që prona figuron në emrin e tij dhe përdorej nga Mirlinda Karçanaj. Ai ka shpjeguar se ka firmosur një kontratë për një banesë rreth 100.7 m², për të cilën ka paguar 100,000 euro. Megjithatë, ai nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e noterit apo shitësin, si dhe as nuk e mban mend se si e ka gjetur këtë banesë. Ram Basha ka theksuar gjithashtu se paratë për blerjen e shtëpisë i janë dhënë borxh në kesh nga shtetasi Sokol Parllaku, të cilat më pas ai i ka depozituar në bankë, por nuk mban mend detaje të tjera.

Punonjësja e Ermal Beqirit

Ndërkohë, Enxhiana Alimeta, punonjësja e firmës së Ermal Beqirajt, e cila e ka blerë këtë banesë për 160 mijë euro nga shtetasi B.F., sipas hetimeve të SPAK, rezulton të ketë pasur pamundësi financiare për të kryer një pagesë të tillë. Nga hetimi zbulohet se paratë i janë dhënë nga administratorja e “Soft & Solution”, Arjola Koromani. Kjo e fundit i ka paraqitur disa dokumenta, të cilat Enxhiana Alimeta i ka firmosur.

Sipas SPAK, ky mekanizëm është përdorur edhe me punonjës të tjerë të firmave të Ermal Beqirit. Dihet se Enxhiana Alimeta, si në rastin e shtetasit Kristi Manaj, është punonjëse pranë shoqërisë “Soft & Solution” shpk. Ajo ka nënshkruar kontratën për njohje detyrimi nr. 5169/1404, datë 31.07.2019, me shtetasen Arjola Koromani, vetëm një ditë pas nënshkrimit të kontratës së blerjes së apartamentit. Megjithatë, nuk është bërë e mundur gjetja e aktit noterial të përshkruar, pasi në sistemin RNSH rezulton të jetë ngarkuar një dokument tjetër me palë dhe objekt të ndryshëm.

Bazuar në të gjithë dokumentacionin, krijohen dyshime të arsyeshme se, ashtu si në rastin e shtetasit Rafael Bistri, edhe Enxhiana Alimeta nuk ka pasur fonde të mjaftueshme në emër të saj për blerjen e kësaj pasurie. Dyshohet se këto fonde janë marrë në formën e huasë nga Arjola Koromani, nëpërmjet kontratës për njohje detyrimi.

Më tej, nga tërësia e hetimeve dhe informacioneve të siguruara, rezulton se Mirlinda Karçanaj ka në posedim një tjetër apartament dykatësh në Qerret, Kavajë, i cili aktualisht është në emër të shtetasit Ram Basha.

Enxhiana Alimeta ka deklaruar se kishte firmosur me mirëbesim, pasi Ermal Beqiri u kishte thënë se do të blinin një banesë në Qerret për të punuar atje. Ajo ka shpjeguar se në vitin 2019, Arjola Koromani i ka paraqitur disa dokumenta për t’i firmosur. Alimeta ka lexuar kontratën për blerjen e një pasurie të paluajtshme dhe e ka nënshkruar, duke menduar se kjo kishte lidhje me blerjen e një prone për punën që kryenin.

Dëshmia e shoferit

Përdorimi i apartamentit dykatësh në Qerret nga Mirlinda Karçanaj është verifikuar nga SPAK edhe përmes dëshmisë së shoferit të saj, Florian Bylyku, i cili ka kryer pagesat e mirëmbajtjes së vilës në bregdet.

Administratori i kompleksit “Laguna Blu” në Qerret, Kostaq Thimo, ka deklaruar se, sipas listës së banorëve lënë nga administratori i mëparshëm, në adresën e apartamentit është e regjistruar Enxhiana Alimeta. Ai ka treguar gjithashtu se pagesat për administrimin janë bërë në emër të Enxianës, por i ka sjellë Florian Bylyku, i cili përveç pagesave, ka qenë prezent në apartament edhe në dy raste të tjera.

Këto të dhëna përputhen me mandatet e arkëtimit të sekuestruara nga policia gjyqësore, ku figuron Enxhiana Alimeta si dhënëse e tarifave për vitin 2025 dhe Florian Bylyku si pagues për vitin 2024.

Lidhur me këto dokumenta, Florian Bylyku fillimisht ka mohuar të ketë bërë pagesa për llogari të Mirlinda Karçanajt në vitet 2024 dhe 2025. Por, pas sqarimeve të mëtejshme, ai ka pranuar se ka thënë diçka të pavërtetë dhe ka kërkuar ndjesë. Ai ka konfirmuar se Mirlinda Karçanaj ka qëndruar në këtë apartament deri në gusht 2025, dhe më pas ai e ka sjellë bashkë me rrobat në Tiranë.

Scroll to Top