SPAK zgjeron bashkëpunimin: Marrëveshje me Amerikën Latine

SPAK shtrin bashkëpunimin edhe në Amerikën Latine

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, dhe prokurorja e posaçme, Dorina Bejko, morën pjesë më 2-3 dhjetor në një takim të nivelit të lartë të prokurorëve nga katër vende të Ballkanit Perëndimor dhe 11 vende të Amerikës Latine. Takimi u zhvillua në selinë e EUROJUST-it në Hagë.

Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të frytshëm me agjencitë partnere dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit. Ai deklaroi: “SPAK ka kaluar nga një agjenci që kryesisht merrte informacion, në një institucion që furnizon partnerët ndërkombëtarë me të dhëna të verifikuara dhe operacionale, duke u shndërruar në një kontribues të vërtetë të sigurisë.”

Në kuadër të këtij takimi, z. Dumani zhvilloi takime bilaterale me homologët e Paraguajit, Perusë, Kilit, Brazilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Ekuadorit. Gjithashtu, SPAK nënshkroi pesë memorandume mirëkuptimi me prokuroritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Paraguajit.

Qëllimi i këtyre marrëveshjeve dhe takimeve bilaterale është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht trafikut të lëndëve narkotike.

Këto aktivitete u zhvilluan brenda kuadrit të një eventi më të gjerë tre ditor, më i madhi i organizuar ndonjëherë nga EUROJUST me partnerët e vendeve të treta. Në këtë event morën pjesë, veç vendeve të Bashkimit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine, edhe ato të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Fokus i këtij eventi ishte forcimi i bashkëpunimit operacional mes këtyre rajoneve dhe Bashkimit Europian.

Scroll to Top