Vendimi për të ardhmen e Grenlandës u takon banorëve, Starmer: Lufta e tarifave tregtare nuk i shërben askujt
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka theksuar edhe një herë se çdo vendim në lidhje me të ardhmen e Grenlandës “i takon ekskluzivisht popullit të Grenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës”. Ai shtoi se kjo e drejtë është themelore dhe se Britania e Madhe e mbështet atë.
Starmer e cilësoi Danimarkën si një aleate të ngushtë të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe një anëtare të rëndësishme të NATO-s. Ai nënvizoi se aleanca mes tyre është “ndërtuar mbi respekt dhe partneritet, jo mbi presion”.
Për këtë arsye, kryeministri britanik u shpreh se “përdorimi i tarifave kundër aleatëve është plotësisht i gabuar”. Ai shtoi se “një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt dhe detyra ime është gjithmonë të veproj në interesin kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.”
Starmer informoi se gjatë ditës kishte zhvilluar bisedime me Donald Trump, udhëheqës të tjerë evropianë dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, e cila duhet të jetë “e bazuar në partneritet, fakte dhe respekt të ndërsjellë”.
Ai gjithashtu pranoi rolin e Trump në “shtytjen përpara” të përpjekjeve për paqe në Lindjen e Mesme dhe në bashkëpunimin e ngushtë lidhur me Ukrainën.
Në fund, Starmer shpjegoi qasjen e tij ndaj debatit aktual për Grenlandën, duke thënë se ai “preferon zgjidhje në vend të sloganeve” dhe se do të punojë së bashku me aleatët në Evropë, në të gjithë NATO-n dhe SHBA-në.
Kryeministri shtoi: “Ne do ta mbajmë dialogun të hapur. Do të mbrojmë të drejtën ndërkombëtare dhe do të përdorim të gjithë fuqinë e qeverisë brenda dhe jashtë vendit për të mbrojtur sigurinë, standardet e jetesës dhe të ardhmen e popullit britanik.”
