### Rama propozon skemë të re për adresimin e qerave të shtrenjta në Tiranë: Studentët e kryeqytetit do të kenë mundësi strehimi në kampusin universitar të Durrësit
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një plan të ri për zgjidhjen e problemit të qerave të larta në Tiranë, i cili përfshin ndërtimin e një kampusi universitar shtesë në Durrës. Ky projekt synon t’u ofrojë studentëve të kryeqytetit mundësinë të strehohen në Durrës, duke e bërë procesin më të thjeshtë për ta.
Gjatë një takimi me rektorët e universiteteve, kryeministri theksoi se ky kampus i ri, së bashku me kampusin universitar të Tiranës, do të ofrojë infrastrukturë qëndrimi për studentët. Ai shtoi se ky nismë do të lehtësohet edhe më tej nga funksionalizimi i shpejtë i linjës së re të trenit që lidh Tiranën me Durrësin.
“Kemi dy kampuse, kampusin e Tiranës dhe kemi hapur procesin për kampusin e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës. Ky i fundit ka një potencial të konsiderueshëm për të krijuar infrastrukturë për qëndrimin e studentëve. Duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë më e lehtë për studentët në Tiranë të kenë mundësinë të strehohen në Durrës,” tha Rama.
Ai shtoi se qëllimi është të ndërtohet një kompleks studentor cilësor për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të madh të studentëve, i cili lidhet me çmimet e larta të qerave në Tiranë. Rama shprehu bindjen se ky moment shënon një fazë të re ndryshimi për arsimin e lartë, duke theksuar se këtë herë, ndryshe nga hera e parë, ka një bazë të fortë dhe përvojë, si dhe një qartësi më të madhe brenda universiteteve.
Gjatë takimit me rektorët e universiteteve publike dhe private, kryeministri Rama njoftoi gjithashtu se ka ardhur koha për të sjellë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë. Ai informoi se ndryshimet do të hartohen nga një grup ekspertësh dhe pritet të kalojnë në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar.
“Është koha për të rishikuar ligjin e arsimit të lartë, pasi ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar mbi ndryshimet që ka sjellë koha dhe konstatimet nga praktika. Ligji aktual, siç e dini, është hartuar me kontributin tuaj. Shpresojmë që edhe këtë herë, falë përvojës së grumbulluar, të jemi në gjendje ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshme. Mendoj se nuk do të presim sesionin tjetër të parlamentit për të përgatitur bazën e ndryshimeve. Duhet të reflektojmë mbi shqetësimet për të shkruar ndryshimet,” u shpreh kryeministri.
Rama nënvizoi gjithashtu se sfidat kryesore të përbashkëta të të gjitha universiteteve janë ndërkombëtarizimi dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve. Ai theksoi se, ndryshe nga e kaluara kur gjithçka ishte e lidhur me buxhetin e shtetit, sot Universiteti i Tiranës është në krye të një grupi universitetesh që kanë rritur kapacitetin e tyre financiar jashtë buxhetit të shtetit, duke qenë në gjendje të krijojnë skuadra, projekte apo partneritete evropiane dhe të përfitojnë nga fondet evropiane.
