Sulm i ushtrisë amerikane: 4 të vdekur në Paqësor

VIDEO/ Ushtria amerikane sulmon një anije tjetër në Paqësor të dyshuar për trafik droge; të paktën 4 persona humbin jetën

Ushtria amerikane ka kryer një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor të mërkurën, ku si pasojë humbën jetën katër persona, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

“Sipas të dhënave tona, kjo anije ishte e përfshirë në kontrabandë të paligjshme narkotikësh, lëvizte përgjatë një rruge të njohur trafiku dhe transportonte drogë,” shkroi Hegseth në platformën X, duke shtuar se asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk është lënduar.

Ky është sulmi i 14-të i njohur i ushtrisë amerikane kundër një anijeje të dyshuar për trafik droge që nga fillimi i operacioneve në shtator. Deri më tani, këto ndërhyrje kanë shkaktuar 61 viktima në 15 anije të ndryshme.

Administrata Trump ka vazhduar fushatën e saj kundër anijeve që dyshohet se merren me trafik droge. Vetëm javën e kaluar, forcat amerikane goditën dy anije në lindje të Paqësorit, duke zgjeruar kështu zonën e operacioneve, pasi më parë sulmet ishin përqendruar kryesisht në Detin e Karaibeve.

Të hënën, ushtria amerikane kreu edhe katër sulme të tjera në Paqësor, ku u vranë 14 persona dhe u arrestua një i mbijetuar, bëri të ditur Hegseth të martën. Këto sulme shënojnë herën e parë që brenda një dite janë kryer disa goditje të njëkohshme në kuadër të fushatës së presidentit Trump kundër karteleve të drogës.

Scroll to Top