Sulm me armë në një universitet në Pensilvani: 3 të vdekur, 6 të plagosur
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në një sulm me armë të ndodhur në Universitetin Lincoln të Pensilvanisë të shtunën në mbrëmje. Autoritetet konfirmuan të dielën në mëngjes gjatë një konference për shtyp se gjithsej shtatë persona u qëlluan me armë zjarri jashtë Qendrës Ndërkombëtare Kulturore të shkollës.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë sonte se një person ka vdekur, gjashtë të tjerë janë goditur nga të shtënat me armë zjarri”, tha Prokurori i Qarkut Chester, Christopher de Barrena-Sarobe, gjatë konferencës, duke mos dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të të plagosurve.
Një person i armatosur është ndaluar, sipas prokurorit të distriktit, i cili shtoi se hetuesit ende po mbledhin informacione. “Nuk kemi shumë përgjigje rreth asaj që ndodhi saktësisht”, tha ai.
Zyra e prokurorit të distriktit bëri të ditur në një deklaratë se forcat e rendit lokale, shtetërore dhe federale po hetojnë rastin, duke u kërkuar personave që kanë informacione rreth të shtënave të kontaktojnë FBI-në.
Të paktën tre persona me plagë nga të shtënat me armë zjarri u dërguan në Spitalin Christiana në Wilmington, Delaware, dhe një tjetër u transportua në ChristianaCare në Newark, Delaware, tha më parë për CNN Jay Moore nga Zyra e Sherifit të Qarkut Chester.
