Sulm me thikë në tren Britani: 10 të plagosur, 2 arrestuar

Britani e Madhe: Sulm me thikë në një tren, 10 të plagosur, 9 prej tyre në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një tren pasagjerësh në Britaninë e Madhe, ku 10 persona janë plagosur, 9 prej tyre në gjendje të rëndë. Një hetim i gjerë është nisur për këtë incident, ku është përfshirë edhe policia e antiterrorit.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 19:40, kur treni që udhëtonte nga Doncaster drejt London King’s Cross u ndal urgjentisht në stacionin Huntingdon, në Cambridgeshire, pas raportimeve për një sulm me armë të ftohtë.

Sipas policisë britanike të transportit, një burrë i armatosur me një thikë të madhe u neutralizua nga forcat policore pas një sulmi të dhunshëm në bord. Deri më tani, dy persona janë arrestuar.

Në vendngjarje mbërritën forcat e armatosura, mjekë, ambulanca ajrore dhe policia e transportit.

Dëshmitarë të pranishëm raportuan për pamje paniku, me njerëz që vraponin ose fshiheshin për t’i shpëtuar agresorit. Një nga dëshmitarët deklaroi se pa njërin nga sulmuesit teksa po arrestohej.

Policia e cilësoi ngjarjen si një “incident madhor”, duke konfirmuar se hetimet po mbështeten nga njësia kundër terrorizmit. Në një moment gjatë ndërhyrjes, autoritetet shpallën kodin “Plato” – sinjali kombëtar që përdoret për të treguar një “sulm terrorist të armatosur në zhvillim”, sinjal ky që më vonë u tërhoq.

Kryeministri Sir Keir Starmer e quajti incidentin “të tmerrshëm dhe thellësisht shqetësues”, duke shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të shërbimeve emergjente.

Scroll to Top