Lajmenegativ

Sulm ndaj gazetarit investigativ italian në Romë

Makina e Sigfrido Ranucci-t, gazetarit dhe prezantuesit të programit investigativ ‘Report’ në Rai 3, është shkatërruar nga dy pajisje eksplozive të vendosura nën automjet. Ngjarja ka ndodhur në Campo Ascolano, pranë Romës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në makinën e tij, një makinë tjetër të familjes dhe shtëpinë ngjitur.

Gazetari bëri të ditur lajmin nëpërmjet profilit të tij në mediat sociale, duke theksuar forcën shkatërruese të shpërthimeve që kanë tronditur të gjithë lagjen. Ai shtoi se shpërthimi mund të kishte pasur pasoja fatale për këdo që do të kishte qenë në afërsi.

Autoritetet, përfshirë karabinierët, zjarrfikësit dhe hetuesit mjeko-ligjorë, kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Prokuroria e Antimafias në Romë ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij sulmi ndaj gazetarit.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e ka cilësuar aktin si “shumë serioz, frikacak dhe të papranueshëm”, duke theksuar se ky sulm prek jo vetëm një gazetar, por edhe lirinë e informacionit dhe të shprehjes.

Edhe Kryeministrja Giorgia Meloni ka shprehur solidaritetin e saj të plotë me Ranucci dhe ka dënuar fuqishëm aktin e frikësimit, duke theksuar se “liria dhe pavarësia e informacionit janë vlera thelbësore të demokracive tona, të cilat ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë”.

Gazetari Sigfrido Ranucci është i njohur për investigimet e tij mbi çështje të ndjeshme, duke përfshirë marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe rastin ‘Ahmetaj’.